UBT News

Akademia Verore e Fakultetit të Sistemeve të Informacionit në UBT sjell në fokus transformimin digjital në industrinë e pijeve

Në kuadër të aktiviteteve të Akademisë Verore të Fakultetit të Sistemeve të Informacionit, e organizuar në kuadër të Global UBT Fest 2026, studentët morën pjesë në ligjëratën me temën “Transformimi Digjital në Industrinë e Pijeve: Sistemet e Informacionit, Analitika e Shitjes dhe Menaxhimi i Brendeve”, të mbajtur nga Dr. Shqipërim Jashari, Menaxher i Marketingut në kompaninë Royal Beverage.

Përmes prezantimit të rasteve konkrete nga industria, pjesëmarrësit u njohën me mënyrën se si sistemet e informacionit mbështesin proceset e prodhimit, analizën e shitjeve, gjurmueshmërinë e produkteve (LOT Traceability), menaxhimin e brendeve dhe vendimmarrjen strategjike të bazuar në analiza të avancuara të të dhënave.

Gjatë ligjëratës u diskutua edhe rëndësia që transformimi digjital ka për kompanitë moderne, duke u theksuar se përdorimi i teknologjive të avancuara dhe i sistemeve inteligjente të informacionit është shndërruar në një faktor kyç për rritjen e efikasitetit, konkurrueshmërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të bizneseve.

Ky aktivitet u ofroi studentëve mundësinë të lidhin njohuritë akademike me praktikat reale të industrisë, duke krijuar një urë bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe sektorit privat. Diskutimet interaktive dhe shembujt praktikë kontribuan në zgjerimin e njohurive të tyre mbi rolin gjithnjë e më të madh të sistemeve të informacionit në transformimin digjital të bizneseve.

Akademia Verore e Fakultetit të Sistemeve të Informacionit vazhdon të sjellë aktivitete që fuqizojnë kompetencat profesionale të studentëve dhe promovojnë bashkëpunimin me industrinë, duke i përgatitur ata për sfidat dhe kërkesat e tregut bashkëkohor të teknologjisë dhe inovacionit.

Exit mobile version