UBT News

Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë solli praktikën laboratorike në fokus të ditës së tretë

Në kuadër të Global UBT Fest, Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë vazhdoi aktivitetet e saj me ditën e tretë, e cila u karakterizua nga puna praktike dhe përvoja e drejtpërdrejtë në mjedise moderne laboratorike dhe klinike.

Gjatë këtij aktiviteti, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me organizimin dhe funksionimin e laboratorëve klinikë, menaxhimin dhe ruajtjen e mostrave biologjike, përdorimin e analizatorëve bashkëkohorë, teknikat e pipetimit dhe mikroskopisë, si dhe proceset e diagnostikimit laboratorik dhe imazherik.

Përmes demonstrimeve praktike dhe punës në laborator, studentët dhe pjesëmarrësit zgjeruan njohuritë e tyre mbi standardet profesionale që udhëheqin praktikën laboratorike moderne. Vëmendje e veçantë iu kushtua saktësisë analitike, biosigurisë, kontrollit të cilësisë dhe etikës profesionale, si elemente kyçe për garantimin e rezultateve të besueshme dhe mbrojtjen e shëndetit të pacientëve.

Aktiviteti dëshmoi edhe një herë qasjen bashkëkohore të Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë, i cili ndërton një model arsimimi të bazuar në integrimin e mësimit teorik me praktikën profesionale, duke krijuar një ekosistem ku universiteti, laboratori dhe institucionet shëndetësore bashkëpunojnë për zhvillimin e dijes, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Përmes Akademisë Verore, UBT vazhdon të krijojë mundësi për zhvillimin profesional të studentëve dhe profesionistëve të rinj, duke i pajisur ata me kompetenca praktike dhe njohuri të avancuara, në përputhje me standardet bashkëkohore të diagnostikës laboratorike dhe shkencave biomjekësore.

Exit mobile version