Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë në UBT përmbylli me sukses aktivitetet, duke finalizuar një program katërditor të pasur me ligjërata shkencore, diskutime profesionale, punëtori praktike dhe aktivitete akademike të fokusuara në zhvillimet më të fundit në fushën e biokimisë, bioteknologjisë dhe shkencave biomjekësore.
Dita e katërt e Akademisë Verore solli në fokus rolin e biofizikës, biokimisë dhe diagnostikës bashkëkohore në mbrojtjen dhe avancimin e shëndetit, duke theksuar rëndësinë e integrimit të kërkimit shkencor, teknologjive moderne dhe praktikës klinike në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes.
Gjatë gjithë programit, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin ligjërata nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të shkëmbejnë përvoja dhe ide, si dhe të angazhohen në diskutime profesionale mbi sfidat dhe zhvillimet më të reja në fushën e diagnostikës laboratorike, bioteknologjisë dhe shkencave të jetës.
Në ceremoninë përmbyllëse, Dekani i Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë, Prof. Dr. Fisnik Laha, në emër të Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ndau certifikata për anëtarët e Komitetit Organizativ, ligjëruesit dhe folësit kontribuues, si dhe për studentët pjesëmarrës, në shenjë vlerësimi për angazhimin, kontributin profesional dhe pjesëmarrjen aktive gjatë gjithë Akademisë Verore.
Përmes kësaj Akademie Verore, Fakulteti i Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë konfirmoi edhe një herë përkushtimin e tij për promovimin e arsimit bashkëkohor, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit akademik, duke krijuar një platformë që lidh dijen, praktikën laboratorike dhe inovacionin në funksion të zhvillimit të shkencave shëndetësore.

