Një histori tronditëse u zbulua këtë të enjte në Këlcyrë në Shqipëri, ku një vajzë e mitur 16-vjeçare dyshohet se është abuzuar seksualisht dhe më pas është bërë objekt shantazhi.
Hetimet kanë zbuluar se vajza e mitur është abuzuar nga njerku i saj, një 55-vjeçar, që rezultoi të jetë punonjës i Policisë së Përmetit, dhe që u arrestua nga Policia e Gjirokastrës.
Sipas Policisë, e mitura është abuzuar nga njerku për rreth 3 vite radhazi, dhe në prangat e policisë gjithashtu ka rënë edhe një 46-vjeçar, i cili dyshohet se ka pasur lidhje intime me të miturën,, përfshi edhe shoku i tij, 27 vjeç.
Lidhur me ngjarjen e rëndë, policia ka shpallur në kërkim edhe një tjetër efektiv të Policisë së Tepelenës, një 53-vjeçar, i cili dyshohet po ashtu se ka ngacmuar seksualisht vajzën e mitur.
Pas publikimit të informacioneve në media të dy efektivët janë pezulluar nga detyra.
Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se 27-vjeçari dhe shoku i tij 46-vjeçar, në bashkëpunim midis tyre, kanë ushtruar presion ndaj vajzës së mitur, duke e kërcënuar dhe detyruar të bënte një video regjistrim në momente intime.
Sipas Prokurorisë së Gjirokastrës, me këtë video, ata kanë shantazhuar efektivin e policisë, duke i kërkuar një shumë parash prej 12 mijë eurosh në këmbim, që të mos e publikonin.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat “Shtrëngimi me anën e kanosjes për dhënien e pasurisë”, ndërsa ndaj dy efektivëve të policisë akuza e “Ngacmimit seksual”./S.K/EO/