UBT News

Abdixhiku: LDK nuk përjashton askënd për president, por kërkon konsensus para garës

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ku është diskutuar për çështjen e presidentit, ka deklaruar se partia që drejton nuk ka qëndrime përjashtuese ndaj asnjë kandidati, përfshirë edhe presidenten aktuale Vjosa Osmani.

Ai theksoi se deri më tani nuk i është paraqitur LDK-së asnjë emër konkret për të cilin janë kërkuar nënshkrime apo mbështetje formale.

“Nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit”, u shpreh Abdixhiku.

Sipas tij, arritja e një konsensusi politik mes partive shqiptare në këtë fazë duket sfiduese. Ai bëri të ditur se nuk ka pasur asnjë kandidat specifik të prezantuar në tryezë.

Abdixhiku rikujtoi se në takimin e kaluar me Kurtin ka pasur, siç tha ai, një qasje imponuese, e cila më pas është larguar nga diskutimi. “Pastaj është folur për marrëveshje politike dhe konsensus. Kurti ka kërkuar 85 vota, pa pasur parakushte apo diskutime për ndonjë marrëveshje politike. Le ta provojnë garën, por LDK sugjeron që fillimisht të tentohet konsensusi. Asnjëherë nuk kemi deklaruar nëse kemi apo jo votë për Vjosa Osmanin”, ka thënë ai.

Kreu i LDK-së përsëriti se partisë së tij nuk i është kërkuar mbështetje për ndonjë emër të caktuar dhe se me 15 deputetë, LDK nuk ka mundësi të imponojë apo të propozojë e vetme një kandidat për president.

Ai paralajmëroi se do të raportojë para grupit parlamentar të LDK-së lidhur me zhvillimet dhe diskutimet e fundit.

Në fund, Abdixhiku theksoi se kjo çështje do të duhej të trajtohej me unitet më të gjerë politik dhe shoqëror, duke shtuar se një garë mes partive, sipas tij, vështirë se sjell zgjidhje dhe mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja nëse Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje vendosin të ndjekin këtë rrugë.

 

 

Exit mobile version