UBT News

Abazoviq dhe Adzhiq intervistohen për shtetësinë e biznesmenit Naser Ramaj

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Filip Adzhiq, janë marrë në pyetje nga Departamenti Special i Policisë (SPO) në kuadër të hetimeve paraprake lidhur me dhënien e shtetësisë së nderit biznesmenit nga Kosova, Naser Ramaj.

Sipas gazetës “Vijesti”, Abazoviq dhe Adzhiq u morën në pyetje rreth dhjetë ditë më parë lidhur me dokumentacionin dhe bazën mbi të cilën i ishte miratuar shtetësia malazeze Ramajt, pak para përfundimit të mandatit të qeverisë së tyre në vitin 2023. Ish-kryeministri Abazoviq e ka konfirmuar dhënien e deklaratës në cilësinë e qytetarit, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

Prokuroria Speciale e Shtetit dhe SPO-ja po hetjnë nëse ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë përdorimit të së drejtës diskrecionale për dhënien e kësaj shtetësie. Procedura kishte kaluar me propozim të kryeministrit të atëhershëm, pas mendimit pozitiv nga Ministria e Financave dhe verifikimit të sigurisë nga Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB).

Shtetësia e nderit i ishte dhënë Ramajt me arsyetimin se ai ishte investitor në kompleksin “Porto Budva”, me vlerë prej 80 milionë eurosh. Megjithatë, Prokuroria tashmë e akuzon atë për evazion fiskal, nën dyshimin se si përgjegjës në kompaninë “Alart Centar Budva” nuk ka deklaruar të ardhurat nga shitja e hapësirave në këtë kompleks.

Për këtë arsye, kryeministri aktual i Malit të Zi, Millojko Spajiq, pati kërkuar më parë nisjen e procedurave urgjente për heqjen e shtetësisë së Ramajt.

Naser Ramaj njihet në Kosovë edhe si ish-pronar i klubit të futbollit Feronikeli. Klubi kishte grumbulluar borxhe mbi 700 mijë euro ndaj lojtarëve dhe trajnerëve nga viti 2019, gjë që e shtyu FIFA-n të obligojë pasardhësin e tij, Feronikeli 74, për shlyerjen e këtyre detyrimeve financiare.  /Vijesti/

 

Exit mobile version