UBT News

68 persona të arrestuar pas protestës se djeshme në Tiranë, në mesin e tyre edhe të mitur

Policia e Tiranës ka njoftuar se vetëm gjatë ditës së djeshme janë arrestuar 68 persona në lidhje me protestën e mbajtur në kryeqytet. Në mesin e të arrestuarve janë edhe shtatë të mitur, të moshës 15 deri në 17 vjeç, ndërsa ndaj 22 protestuesve të tjerë ka nisur procedimi penal.

Përplasjet fizike gjatë ditës së gjashtë të protestës shkaktuan të lënduar në të dyja palët, si dhe dëme të konsiderueshme materiale në disa godina institucionesh ku u shfaqën edhe vatrat e para të flakëve.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, personat e ndaluar dyshohen se kanë goditur zyrtarët policorë dhe godinat publike e private me gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike.

“Gjatë tubimit të djeshëm janë dëmtuar 20 punonjës Policie. Personat e ndaluar kanë dëmtuar fizikisht efektivët si dhe kanë shkaktuar dëme materiale në godinat e institucioneve dhe në sinjalistikën rrugore. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë. /E.A/

Foto: REL

Exit mobile version