Ditën e djeshme në rajonin e Madridit në Spanjë janë mbajtur zgjedhjet për Kuvendin dhe Qeverinë rajonale. Fituese ka dalë Partia Popullore (PP) e cila ka fituar pothuaj gjysmën e votave, duke marrë kështu 65 nga 136 deputetët e kuvendit të rajonit të Madridit.
Ajo që e bën këtë fitore të rëndësishme në aspektin politik lokal dhe rajonal është fakti që PP ka marrë më shumë vota dhe vende për Kuvendin e Madridit, se sa të gjithë partitë e majta së bashku. Fitorja e PP është një sinjal i hapur kundër qeverisjes së majtë të Kryeministrit Spanjoll Pedro Sanchez, partia e së cilit shënoi humbje të konsiderueshme në këto zgjedhje në rajonin e kryeqytetit. Gjithashtu, në vigjilje të rezultatit zgjedhor, Pablo Iglesias kryetari i partisë PODEMOS, aleat ky kryesor i qeverisë së Sanchez, dha dorëheqjen nga çdo rol politik në Spanjë, megjithëse partia e tij pati rritje në zgjedhjet e Madridit.
Platforma kryesore e PP në Madrid ishte për lirimin e masave ndaj COVID-19, dhe në kundërshtim të hapur të politikave kombëtare të ndjekur nga qeveria e Sanchez. Motoja e PP në këto zgjedhje madje ishtë “Liri!”, një mesazh i cili ka tërhequr masivisht votuesit e Madridit në zgjedhje, të cilët sipas analistëve përveçse kanë votuar për PP, kanë votuar edhe për kauzën e lirimit të masave kundër pandemisë, të cilat i shohin si të padrejta dhe mbytëse për ekonominë.
Pas shpalljes së rezultatit, PP do të marrë mandatin për të formuar qeverinë rajonale në Madrid edhe për këtë nevojitet një koalicion për konstituimin e qeverisë. Deri më tani, ata që duken si partneri më i mundshëm edhe mbështetës publik i këtij koalicioni, është partia e së djathës ekstreme në Spanjë Vox, të cilët me 13 mandatet e fituara mund t’ia lejojnë PP të formojë qeverinë. Në këtë rast, qeveria e rajonit të Madridit do të kontrollohej nga një koalicion i së djathtës spanjolle, e cila gjatë dy viteve të fundit është kthyer në më shumë konservatore dhe agresive.
Rajoni i Madridit është rajoni më i prekur nga pandemia në Spanjë, prej të 17 rajoneve, momentalisht me një mesatare prej 343 rastesh për 100 mijë banorë, shumë më shumë se sa mesatarja kombëtare në Spanjë prej 214 raste për 100 mijë banorë. UBTNEWS