UBT News

5 teknika të agjentëve të CIA-s për të ndërtuar një raport të mirë me kolegët e punës

Të pasurit e kolegëve që besojnë tek ju është themeli i suksesit në vendin e punës. Pa të, kolegët tuaj mund të hezitojnë t’ju mbështesin ju apo idetë tuaja. Besimi – ose mungesa e tij – mund të bëjë diferencën mes përmbushjes së qëllimeve tuaja dhe dështimit të tyre.

Në një raport të publikuar së fundmi në Harvard Business Review, një ish- analiste e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), tregon disa nga rregullat kryesore të ndjekura nga agjentët e CIA-s për të pasur një marrëdhënie kuptimplotë dhe produktive me kolegët e tyre.

Gjeni mënyra për t’u bërë individë të plotësuar.

Në mënyrë që të keni mundësi të flisni për tema të ndryshme me të tjerët, fillimisht ju duhet të vendosni për interesat dhe cilësitë tuaja si individë. A ka diçka që keni dashur gjithnjë ta mësoni? Në botë, ka mënyra të pafundme për të mësuar një aftësi të re duke ndjekur klasa nga njerëz në të gjithë botën, pa qenë nevoja të dilni nga dera e shtëpisë. Nga një MasterClass për ekonominë, tek kurset e qepjes apo gatimit e deri tek klubet e librave virtual, lista vazhdon.

Fokusimi tek gjetja e kohës pas pune për t’iu dedikuar një interesi që e keni lënë pas dore, ju ndihmon të ndërtoni personalitetin tuaj. Edhe pse mund të jetë e vështirë të gjesh kohë kur mendon të gjithë streset e punës dhe preokupimet në shtëpi, vendosja e një rutine dhe mbajtja e një agjende, janë hapat e parë drejtë realizimit të çdo lloj projekti.

Mos u shtirni.

Ndërtimi i besimit është tejet i vështirë nëse nuk jeni autentik. Kur jeni në hapat e para të ndërtimit të një marrëdhënieje në punë, mundohuni të gjeni tema të përbashkëta për të cilat jeni vërtetë të interesuar, jo të shtireni. Nëse nuk gjeni dot mënyrën se si të kuptoheni me dikë – provoni të mësoni diçka rreth interesave të tyre. Vendosja e vetes në pozicionin e studentit, dhe e personit tjetër në rolin e mësuesit mund të jetë një taktikë mjaft e mirë për të ndërtuar besim në një mënyrë shumë më të vërtetë.

Dëgjoni.

Kur po ndërtoni një raport me dikë, kujtohuni se në përgjithësi, njerëzve u pëlqen të flasin për veten dhe interesat e tyre. Është OK të flasësh edhe për veten – dhe do t’ju duhet ta bëni këtë në mënyrë që të ndërtoni raporte, por bëjeni në një mënyrë që i jep edhe bashkëbiseduesit hapësirë për të ndarë mendime me ju.

Jep që të marrësh.

Në mënyrë që të fillojmë një bisedë, shpesh na duhet të ndajmë ndonjë informacion personal që t’ia bëjmë edhe të tjerëve më të lehtë të flasin për veten. Kjo është një teknikë që CIA i mëson agjentëve gjatë fazës së trajnimit, rreth ndërtimit të raporteve me objektivët e inteligjencës. Por kjo taktikë është po aq e rëndësishme në marrëdhëniet e biznesit. Nëse po shpresoni që një koleg t’ju hapet për diçka, ndërtojeni bisedën në një mënyrë që edhe ju ndani me ata një situatë të ngjashme. ‘Jep që të marrësh’ është një teori po aq e rëndësishme në aspektin e arritjes së kompromiseve gjatë negociatave siç është edhe një mënyrë e mirë për të thyer akullin me një koleg.

Mbani shënime.

Njësoj si agjentët e CIA-s mbajnë një ditar kur shkruajnë raportet pas takimeve të tyre, konsideroni edhe ju të mbani shënime rreth gjërave që mësoni rreth njerëzve apo që ju bëjnë përshtypje në përgjithësi. Të shkruarit, dhe mbajtja e një ditari apo blloku ku planet dhe dëshirat bëhen realitet me anë të një plani të detajuar pune, ka qenë gjithnjë, një prej karakteristikave të njerëzve më të suksesshëm në botë.

Bazuar në një artikull nga ish-analistja e inteligjencës në CIA dhe autorja, Kristina Hillsberg.

Exit mobile version