Në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit në UBT, studentët e vitit të dytë të Fakultetit Art dhe Dizajn, nën mentorimin e profesorit Burim Berisha, kanë hapur ekspozitën “Hapësira si Kujtesë”, e cila sjell para publikut një seri instalacionesh bashkëkohore të zhvilluara gjatë Semestrit IV.
Ekspozita bazohet në qasjen artistike site-specific, ku veprat janë krijuar në raport të drejtpërdrejtë me historinë, arkitekturën dhe karakterin e hapësirës ku prezantohen. Përmes kësaj qasjeje, studentët kanë eksploruar mënyrat se si hapësira mund të shndërrohet në bartëse të kujtesës, përvojave dhe narrativave të ndryshme.
Punimet e ekspozuara ndërtojnë ura komunikimi ndërmjet vendit, kujtesës dhe shikuesit, duke përdorur një gamë të gjerë mediumesh bashkëkohore, si ndërhyrje hapësinore, zë, reflektim, video dhe materiale të ndryshme artistike. Çdo instalacion paraqet një interpretim unik të marrëdhënies ndërmjet individit dhe hapësirës, duke ftuar publikun të reflektojë mbi mënyrën se si vendet ruajnë gjurmë të së kaluarës dhe ndikojnë në perceptimin tonë të së tashmes.
Përmes kësaj ekspozite, studentët dëshmojnë aftësitë e tyre kreative dhe konceptuale në fushën e instalacionit, duke sjellë projekte që sfidojnë format tradicionale të ekspozimit dhe krijojnë përvoja të drejtpërdrejta e interaktive për vizitorët.

