Në kuadër të programit “Ditët e Artit dhe Dizajnit 2026” në UBT, u organizua një ligjëratë profesionale dhe interaktive në kuadër të lëndës “Praktika në Studio”, e udhëhequr nga Prof. Gazmend Ejupi, duke sjellë në fokus një nga industritë më dinamike dhe me rritje të shpejtë në botë – industrinë e gaming.
Në këtë aktivitet mori pjesë si i ftuar i veçantë Visar Statovci, ekspert në fushën e gaming-ut dhe marketingut digjital, i cili ndau me studentët përvoja të drejtpërdrejta nga industria kreative, si dhe perspektiva mbi zhvillimin e lojërave digjitale në epokën e inteligjencës artificiale.
Ligjërata u zhvillua në formë prezantimesh dhe diskutimesh interaktive, ku u trajtuan tema të rëndësishme si evoluimi i industrisë së gaming, ndikimi i teknologjive të reja në procesin e krijimit të lojërave, si dhe roli gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale në dizajnimin, zhvillimin dhe personalizimin e përvojës së përdoruesit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua lidhjes ndërmjet artit, dizajnit dhe teknologjisë, duke theksuar se industria e gaming sot përfaqëson një ndërthurje të fuqishme të kreativitetit artistik me inovacionin teknologjik dhe zgjidhjet digjitale të avancuara.
Studentët e pranishëm patën mundësi të njihen nga afër me praktikat bashkëkohore të industrisë, të kuptojnë dinamikat profesionale të tregut të punës në këtë fushë dhe të diskutojnë mbi mundësitë e reja që inteligjenca artificiale ofron për të ardhmen e gaming-ut dhe industrive kreative në përgjithësi.
Pjesëmarrja aktive e studentëve dhe diskutimet e hapura e bënë këtë ligjëratë një përvojë të vlefshme akademike dhe profesionale, duke kontribuar në zgjerimin e njohurive praktike dhe në forcimin e lidhjes mes teorisë dhe industrisë reale.

