Sot mbushen 32 vjet nga rënia e dëshmorëve të Kombit, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, nga Komuna e Podujevës.
Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.
Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut do ta vazhdojë gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.
Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë më shokë dhe dënohet me katër vjet burg.
Kështu më 2 nëntor të dy, Afrimi dhe Fahriu, u rrethuan në lagjen Bregun e Diellit nga UDBA serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, ku bien heroikisht të dy atdhetarët.
Në nderim të jetës dhe veprës së tyre sot do të mbahen homazhe pranë Obeliskut të heroit të kombit në Llugë, te varrezat e heronjve në Prishtinë, si dhe afër vendit ku Afrimi e Fahriu ranë heroikisht.