UBT News

181-vjetori i lindjes së Ismail Qemalit, udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare

Më 16 janar të vitit 1844 lindi një nga personalitetet më të shquara të historisë kombëtare, një emër që mbetet i gdhendur përjetësisht në kujtesën e shqiptarëve si “Ati i Kombit”, Ismail Qemali.

I lindur në qytetin e Vlorës, në një nga familjet më të njohura dhe të respektuara të Shqipërisë së Jugut, Ismail Qemali mori formimin e tij shkollor në një periudhë kur Shqipëria po kalonte një fazë të vështirë, nën ndikimin e Perandorisë Osmane. Ai filloi shkollimin e tij në vendlindje dhe më pas e vazhdoi në shkollën plotore turke në Selanik, e më tej në gjimnazin “Zosimea” në Janinë, ku fitoi njohuri të thella që do t’i shërbenin më vonë në angazhimin e tij politik dhe kulturor.

Në vitin 1860, Ismail Qemali nisi të punonte si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë, një detyrë që e mundësoi lidhjen e tij me rrethana dhe grupe të ndryshme që do të ndikojnë në formimin e tij si lider i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Nga vitet 1862-1864, ai shërbeu në administratën vendore në Janinë dhe, pas disa transferimeve, u ngarkua me detyra në Stamboll dhe Tërhallë (Thesali).

Gjatë kësaj periudhe, ai bëri pjesë në grupet e para intelektuale shqiptare që, për herë të parë, diskutuan mundësinë e krijimit të një shoqërie kulturore shqiptare dhe caktimin e një alfabeti të përbashkët. Ai, së bashku me personalitete të njohura të lëvizjes kombëtare si Pashko Vasa, Sami Frashëri, Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto dhe Hoxhë Tahsini, zhvilluan një aktivitet të pasur që do të shënonte një hap të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë.

Në vitin 1877, Ismail Qemali u akuzua nga Porta e Lartë si kundërshtar i politikave të Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës i ideve liberale të Mithat Pashës, një figurë e shquar që promovonte reforma të thella në Perandorinë Osmane. Kjo e çoi atë në një periudhë internimi, ku ai qëndroi për disa kohë në vende të ndryshme të Europës, duke thelluar lidhjet dhe bashkëpunimin me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ai u angazhua në lëvizjen për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare dhe një alfabeti të përbashkët, dy elementë të rëndësishëm që do të shënonin hapat e parë të konsolidimit të identitetit kombëtar shqiptar.

Në vitet pasardhëse, Ismail Qemali u bë një nga figurat kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ai mori pjesë aktive në lëvizjen xhonturke, por më vonë u kundërvë Xhonturqve, pasi ata morën pushtetin dhe vendosën një regjim ushtarak, duke vënë në rrezik të drejtat e kombet e Perandorisë, përfshirë shqiptarët.

Por, kulmi i kontributit të tij në historinë e Shqipërisë erdhi në vitin 1912. Më 19 nëntor të atij viti, Ismail Qemali shpalli publikisht mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar, që do të vendoste për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Më 28 nëntor 1912, nën udhëheqjen e tij, Kuvendi shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar në Vlorë. Ismail Qemali u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë dhe ministër i Punëve të Jashtme, duke udhëhequr një periudhë të vështirë të konsolidimit të shtetit të pavarur shqiptar.

Në politikën e tij të jashtme, Ismail Qemali ishte një mbrojtës i paepur i pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë. Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme dhe të jashtme, ai mori masa të shumta për organizimin e shtetit të pavarur, duke synuar ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe forcimin e lidhjeve me shtetet e tjera.

I paharruar për veprimtarinë e tij dhe përkushtimin e tij të palodhur për çështjen shqiptare, Ismail Qemali mbetet një ndër figurat më të shquara të historisë sonë kombëtare. Ai jo vetëm që përfaqësoi idealet e lirisë dhe të drejtësisë, por gjithashtu shpalli një Shqipëri të pavarur, një ëndërr e të cilës ai ia dha mundësinë popullit shqiptar ta realizonte./UBTNews/

 

Exit mobile version