Kristo Luarasi (15 dhjetor 1875 – 8 korrik 1934) ishte një nga patriotët e shquar të Rilindjes Kombëtare dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i cili i kushtoi gjithë jetën çështjes kombëtare.
Pas shërbimit si mësues i gjuhës shqipe në Kolonjë, ai emigroi fillimisht në Bukuresht dhe më pas në Sofje, ku hapi shtypshkronjën “Mbrothësia”, duke botuar libra, gazeta dhe revista shqipe që shpërndaheshin falas tek shqiptarët kudo.
Në vitin 1897, Luarasi nisi botimin e Kalendarit Kombiar, të cilin e botoi për 17 vjet, si dhe publikoi gazetat “Drita” dhe “Liria e Shqipërisë” dhe mbi 150 tituj librash të autorëve të njohur shqiptarë, përfshirë Naim, Sami dhe Mit’hat Frashëri, Faik Konicën e të tjerë.
Ai punoi si tipograf, botues dhe drejtues gazete, duke qëndruar gjithmonë aktiv në publicistikë dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare.
Pas periudhës në Sofje dhe Selanik, përshëndeti Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe riktheu botimin e gazetës “Liri e Shqipërisë” (1915-1920). Më 1920, u vendos në Tiranë, ku themeloi Shtypshkronjën “Luarasi”, që u bë edhe Shtëpia Botuese Luarasi, duke botuar dhjetra libra, revista dhe tekste shkollore deri në vitin 1947.
Për veprimtarinë patriotike, Kristo Luarasi u vlerësua edhe nga regjimi komunist me Urdhërin e Flamurit të Klasit të Dytë (1962) dhe pas viteve ’90 me medaljen “Pishtar i Demokracisë”. Fan Noli e konsideroi Luarasin si një nga 28 pionerët e krijimit të shtetit shqiptar.
Luarasi ndërroi jetë më 8 korrik 1934 në Tiranë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore dhe patriotike për Shqipërinë. /A.Z/UBT News/
