UBT News

10 vjet pas vdekjes së Amy Winehouse, dalin në ankand afërsisht 800 gjësende të saj

Afërsisht 800 gjësende të këngëtares Amy Winehouse, përfshirë edhe fustani i shkurtër që këngëtarja e ndjerë britanike e veshi në koncertin e saj të fundit, do të dalin në ankand.

Fustani në ngjyrë jeshile dhe të zezë, dhe një çantë e markës Moschino në formë zemre, me të cilën fotografohej shpesh fituesja e Grammy Award, pritet që të dalin në ankand e secila do të kushtojë nga 15 mijë deri në 20 mijë dollarë.

Prindërit e Winehouse vendosën se kjo është koha e duhur t’i shesin në ankand gjësendet e saj personale dhe profesionale, deklaroi drejtori ekzekutiv i shtëpisë së ankandit Julien, Martin Nolan.

“Ka qenë një vendim shumë emocional për prindërit që të heqin dorë nga pasuritë e vajzës së tyre. Por ata e dinë që këta artikuj do të shkojnë te fansat dhe koleksionistët, muzetë dhe investitorët në të gjithë botën që do të vazhdojnë t’i vlerësojnë, t’i shijojnë, t’i shfaqin”, tha Nolan.

Këngëtarja vdiq si pasojë e helmimit nga alkooli në korrik të vitit 2011, në moshën 27-vjeçare. Koncerti i saj i fundit ishte në Beograd, një muaj para vdekjes./UBTNews

Exit mobile version