Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka njoftoi sot se me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Shqipëria do të rrisë nivelin e saj të përfaqësimit në Kiev duke hapur ambasadën e saj në Ukrainë.
“Kanë kaluar 30 vjet që kur Shqipëria dhe Ukraina vendosën marrëdhëniet diplomatike si dy vende që dolën nga tirania në botën e lirë. Sot ne jemi krenarë që qëndrojmë pranë Ukrainës si miq të vërtetë në anën e duhur të historisë. Rezistenca heroike e Ukrainës është një luftë për liri dhe refuzim i një rikthimi në tiraninë nga e cila kemi dalë të dyja vendet shumë kohë më parë”, u shpreh Xhaçka përmes një postimi në rrjetet sociale.
Kjo, sipas saj, “është arsyeja pse Shqipëria do të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj me maksimumin e aftësive të saj derisa të triumfojë kundër luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë”.
“Shqipëria dhe Ukraina i përkasin familjes së kombeve të lira dhe demokratike dhe të dyja kanë një të ardhme në familjen euroatlantike. Me rastin e këtij 30-vjetori, jam e lumtur të njoftoj se Shqipëria do të rrisë nivelin e saj të përfaqësimit në Kiev duke hapur ambasadën e saj në Ukrainë. Pres me kënaqësi vijimin e bashkëpunimit me mikun dhe kolegun tim Dmytro Kuleba për të avancuar dhe forcuar bashkëpunimin tonë edhe më tej në të ardhmen”, u shpreh Xhaçka./atsh