UBT News

​Tritol banesës së shefit të Krimeve në Komisariatin Shkodër, Policia: Nuk ka të lënduar

Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte (13 janar) në lagjen Dobraç të Shkodrës.

Policia bën me dije se tritoli është vendosur përpara banesës së shefit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër dhe fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar. Policia sqaron se si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse ka pasur dëme të lehta në banesën e shefit të Krimeve dhe është dëmtuar gjithashtu dhe automjeti i tij.

“Rreth orës 03:50, në lagjen Dobraç, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, përpara banesës së shtetasit P. Sh., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Shkodër. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij, si dhe është dëmtuar automjeti i tij.

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftim./rtsh.al/

Exit mobile version