Të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura nga sulmi kibernetik i një ditë më parë ndaj faqeve zyrtare në Shqipëri. Kështu thuhet në një reagim të Qeverisë shqiptare, ku theksohet se detektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.
“Që në momentet e para të evidentimit të këtij sulmi AKSHI është duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët tanë të Microsoft nëpërmjet ekspertëve të tyre më të mirë kibernetikë të Detektimit dhe Përgjigjes ndaj Incidenteve (DART team). Gjithashtu ekspertët e “Jones Group International” janë këtu, për trajtimin e situatës dhe kthimin sa më shpejt në normalitet. Sistemet qeveritare kanë të gjitha back-up dhe janë të sigurta. Në këtë moment jemi duke verifikuar sistem pas sistemi që këto të fundit të jenë të sigurt në çdo element, përpara se të kthehen sërish online dhe në funksionalitet të plotë. Paralelisht të gjithë aktorët institucionalë janë në gatishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm për hetim të thellë e të detajuar të këtij krimi kibernetik. Nuk ka vend për polemika politike aq kohë sa jemi përballë një armiku të përbashkët në këtë luftë kibernetike, ndaj të lëmë ekspertët të bëjnë punën e tyre në mënyrë që çdo sistem që rikthehet në punë të jetë funksional dhe mbi të gjitha i sigurt”, thuhet në njoftim.
Sipas kryeministrisë, metodat mbi të cilat aktorët keqbërës kanë vepruar janë të ngjashme me sulmet e vitit të fundit, të vëna re në hapësirën kibernetike ndërkombëtare. Me këtë metodologji, këtë vit ka pasur pesë sulme në Ukrainë.
“Teknikat mbi të cilat ky sulm mbështetet janë të së njëjtës natyrë me ato të përdorura për një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit. Vetëm në Ukrainë këtë vit ka pasur 5 sulme me të njëjtën metodologji, ndërsa në Gjermani i njëjti lloj sulmi ka nxjerrë jashtë funksioni impiantet e prodhimit të energjisë me erë. Këto metoda maskohen fillimisht me sulme të tipit Ransomëare, me anë të të cilave keqbërësit kërkojnë të largojnë vëmendjen nga qëllimi real, që është sulmi ndaj sistemeve kritike. Hapi i dytë i këtij sulmi të përqendruar dhe sofistikuar është goditja në sistemet kritike digjitale të shtetit shqiptar për t’i nxjerrë jashtë funksionit”, thuhet më tej.
Të dielën, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi shqiptarët se është e detyruar të bllokojë aksesin e shërbimeve publike për të përballuar goditjet e njëpasnjëshme e të sofistikuara nga jashtë Shqipërisë.