UBT News

​Shqipëri-Kosovë, shkëmbim eksperience mbi mbrojtjen e të dhënave

Në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar gjatë muajit prill 2022, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave mikpriti kolegë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Republikës së Kosovës.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte shkëmbimi praktik i eksperiencave profesionale dhe administrative, si dhe zgjerimi i ndërveprimit mes stafeve të të dy autoriteteve. Në nisje të takimit komisionerët Besnik Dervishi dhe Krenare Sogojeva-Dërmaku, ndanë të njëjtin vlerësim mbi bashkëpunimin institucional, duke e cilësuar atë në të mirë dhe përfitim të qytetarëve, por edhe në funksion të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të shteteve tona.

Aktiviteti u mbajt përgjatë dy ditëve, ku sipas agjendës u trajtua në një panoramë gjithëpërfshirëse roli dhe veprimtaria e Zyrës së Komisionerit.

Në të u prezantuan detyrat dhe kompetencat e njësive përbërëse të institucionit, me fokus përshkrimin e kapaciteteve mbikëqyrëse. Në këtë kontekst, u diskutua edhe për procesin e modernizimit të kuadrit ligjor në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe atij për të drejtën e informimit sipas modeleve më bashkëkohore evropiane.

Nga ana tjetër, garantimi i të drejtave të individit nuk mund të kuptohet pa një veprimtari të gjerë njohëse e ndërgjegjësuese, duke forcuar bashkëveprimin, sidomos, me shoqërinë civile dhe grupet e interesit. Një aspekt tjetër i aktivitetit ishte dhe trajtimi i rasteve konkrete dhe vendimmarrjes në lidhje me to, ku u diskutua mbi të përbashkëtat dhe veçoritë që parashikon kuadri rregullator në shtetet përkatëse.

Zyra e Komisionerit ritheksoi gjatë aktivitetit angazhimin për t’i ofruar mbështetje AIP për anëtarësimin në organizata të ndryshme evropiane apo ndërkombëtare në të dy këto fusha. Në këtë kuadër, përpjekjet e përbashkëta nuk do të ndalen, si shprehje e qasjes realiste për promovimin e të drejtave të qytetarëve, për rritjen e transparencës e llogaridhënies së autoriteteve publike dhe përgjegjshmërisë e etikës së kontrolluesve/përpunuesve publik e privat. /atsh/

Exit mobile version