Policia Rrugore vazhdon kontrollet intensive në të gjitha rrugët e vendit, duke përdorur radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Shtetit, e cila njofton se gjatë 48 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë 16 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 9 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
“Janë pezulluar 89 leje drejtimi, nga të cilat 60 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 27 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 2 për qarkullim në sens të kundërt. Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2378 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë kontrolleve parandaluese, në rrugën “Jordan Misja”, kanë goditur një rast të mitëdhënies. Drejtuesi i mjetit, shtetasi M. L., pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit, u ka ofruar punonjësve të Policisë, një kartëmonedhë të prerjes 20 euro, me qëllim shmangien e ndëshkimit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional. /Atsh