Me sloganin “Ca kokrra rrushi” është rikthyer pas dy vitesh festivali i njohur i rrushit “Hardh Fest” për qytetarët vendorë si dhe turistët ndërkombëtarë të cilët interesohen të shohin nga afër vreshtat dhe pasuritë e tjera të Rahovecit.
Kjo ngjarje gjithashtu konsiderohet si mundësi e mirë për promovimin e produkteve vendore.
I njohur si kryeqyteti i bujqësisë, Rahoveci do të jetë nikoqir në datat 2,3 dhe 4 shtator, gjatë ditës me aktivitete turistike e letrare ndërsa në mbrëmje me koncerte artistike.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci tha se tha se “Hardh Fest” në edicionet e ardhshme duhet të marr mbështetje institucionale më të madhe.
Ai tha se tashmë kanë nënshkruar udhëzimin administrativ për treguesit gjeografikë që lehtësojnë eksportin e produkteve.
“Sektori i verarisë është një ndër shembujt e suksesit në sektorin e bujqësisë, verërat tona janë aq bujqësore sa me lehtësi i gjen në dyqanet në mbarë vendet e rajonit, BE deri në SHBA. Qëllimi im si ministër është që përveç hartimit të politikave të zhvillojnë sektorin e bujqësisë, njëherit t’i promovojë prodhimet vendore, punën e palodhshme të bujqve, vreshtarëve dhe vertarëve tanë dhe në çdo vizitë zyrtare përkujdesem që homologëve të mi t’ua prezantoj verërat tona… Sot me mëngjes kam nënshkruar udhëzimin administrativ për treguesit gjeografikë që është masë lehtësuese për prodhuesit tanë, për vreshtarët dhe vertarët në eksportimin e produkteve tona cilësore në rajon dhe mbarë vendet e BE-së e deri në ShBA”, theksoi Peci.
Liburn Jupolli, këshilltar në MKRS, u shpreh se këtë vit “Hardh Fest” vjen me një program të pasur treditorë.
Sipas tij, ky festival po ruan flakën e traditës duke e bërë trashëgiminë e Kosovës më të gjallë.
“‘Hardh Fest’ po e ruan flakën e traditës tonë, po e bënë trashëgiminë tonë të gjallë dhe të afërt ne publikun dhe po jep njërin prej shembujve më të mirë të kultivimit dhe të zhvillimit të vlerave tona si shoqëri. Sivjet ‘Hardh Fest’ vjen me një program të pasur treditorë, me shumë aktivitete për të cilat duhet duartrokitur angazhimi i palodhshëm i ekipit vendor dhe padyshim të gjithë përkrahësit e festivalit. Qeveria e Republikës së Kosovës, MKRS tashmë ka miratuar koncept dokumentin për art e kulturë, si hap të parë të reformës së plotë ligjore në kulturë dhe do të vazhdojë me zhvillimin e ligjit të ri unik në kulturë dhe masave të tjera të cilat do të fuqizojnë më tutje dhe do të hapin rrugë të reja për të mbështetur dhe zhvilluar kulturën në Kosovë”, tha Jupolli.
I pranishëm në hapjen e “Hardh Fest”-it ishte edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili adresoi kritika karshi Qeverisë së Kosovës sa i takon mbështetjes së fermerëve.
Sipas tij, të gjithë duhet të punojnë së bashku e jo të shpallen armiq bujqit, mjekët dhe arsimtarët.
“Së pari është për kritik kushdo që e pengon fermerin dhe vreshtarin, në këtë rast qeveria dhe ministri ynë e di që vitin që shkoi ua ka humbur 1 vit me subvencione i ka vonuar, e dyta është për kritikë qeveria jonë duke e parë se si vepron Serbia në emër të një festivali të verave dhe lavdëron verat e Serbisë që vërtetë janë vera të klasit të dytë, e mungesa e kujdesit të shtetit tonë që të shfrytëzojë edhe një ditë si kjo për t’i lavdëruar verërat tona, kur e dimë që verërat tona janë më të mirat në Ballkan. Nuk ka dikush që se dinë që hardhia në Rahovec është e vjetër aq sa është kjo tokë, verërat e paraardhësve tanë, e ilirëve kanë qenë të respektuara e të çmuara në atë kohë”, theksoi Haradinaj.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi u shpreh se ky festival këtë vit iu është rikthyer qytetarëve me një organizim më të mirë.
Latifi tha se “Hardh Fest” e ka vendosur komunën që ai drejton në hartën e ngjarjeve kulturore-artistike më të rëndësishme në Kosovë dhe botë.
“Sivjet festivali i kthehet qytetarëve me organizimin më të mirë në historikun e tij. ‘Hardh Fest’ është i të gjithëve por më së shumti i bujqve dhe vreshtarëve fisnikë me rrethinë duke iu shërbyer në promovimin e produkteve të rrushit… Komuna e Rahovecit nuk i ka lënë asnjëherë vetëm vit pas viti si financiarisht ashtu edhe për të krijuar rrethanat hapësinore dhe infrastrukturore ka qenë e palëkundur ndërkohë që mbështetja është rritur çdo vit e do të rritet edhe më shumë në vitet në vazhdim. Jam i gëzuar që sivjet kemi gjetur mundësitë për të mbështetur ‘Hardh Fest’-in më shumë se vitet e shkuara. Jam po ashtu i vetëdijshëm se çfarëdo mbështetje që ka ardhur nga MKRS, MBPZHR, nga sponsorët që u jepet ngjarjeve të kësaj peshe si ‘Hardh Fest’ është investim që i kthehet shoqërisë tonë me plotë përfitime si ekonomike ashtu edhe kulturore”, tha ai.
Në këtë edicion u shpallën edhe vreshtarët më të mirë të edicionit të sivjetshëm që janë Agron Haxhimustafa, Samir Hoxha, Refki Kabashi, Veton Haxhimustafa, Miftere Shala, Berat Jupa etj. Në këtë edicion të “Hardh Fest” pritet të numri i pjesëmarrësve të jetë deri në 100 mijë. Për shkak të pandemisë, festivali “Hardh Fest” nuk është organizuar për dy vite me radhë.