UBT News

​Revista italiane: Zbulojini bukuritë e Shqipërisë

Jo vetëm deti, tashmë i njohur nga e gjithë Evropa, por edhe kryeqyteti, Tirana, ofron një gamë të gjerë dhe të shijshme gastronomike, shkruan filiali italian i revistës Vanity Fair.

Toka e Shqiponjave është një thesar bizhuterish kulturore dhe natyrore që duhen zbuluar dhe admiruar. Një udhëtim është mënyra më e mirë për të humbur mes fshatrave të gurtë, qyteteve historike dhe kështjellave, ku koha duket se ka ndalur. Pa harruar të pushohet mes burimeve natyrore dhe pellgjeve të thella me ujë në kufijtë e Evropës.

Pallatet me pamje nga deti, një rrip i gjatë me rërë, dhe restorante njëri pas tjetrit. Janë këto pamjet që ofron Durrësi, duke lënë një përshtypje të mirë tek vizitorët.

Megjithatë, mjafton të shkosh përtej pamjes së detit dhe të futesh në qytet si për shembull në vende arkeologjike.

Ashtu si Amfiteatri Romak, më i madhi në rajon ku mund të ulen deri në 20 000 spektatorë, i ndërtuar nga perandori Hadrian dhe i zbuluar në vitet 1960 nën themelet e një lagjeje banimi.

Forumi Bizantin, me banjat romake dhe kolonat e bukura korintike, kulla veneciane, pjesë e mureve që mbyllnin qendrën historike janë një xhevahir që nuk i shpëton as syrit më të shpërqendruar.

Berati

Njëqind kilometra nga Durrësi ndodhet Berati, një grusht shtëpish të bardha me dritare të shumta. Qyteti është shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare shekullore në Tokën e Shqiponjave, një vend ku zëri i muezinit përzihet me zhurmën e kambanave dhe minareve.

Këshillohet një vizitë në rrethinat e Goricës dhe Mangalemit, të ndara nga lumi Osum, me kishat, xhamitë dhe shtëpitë e tyre tradicionale, si dhe në muzeun Solomon, kushtuar historisë së hebrenjve të shpëtuar nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Këtu ndodhet edhe muzeu Onufri, kushtuar ikonografisë së piktorit shqiptar me të njëjtin emër, dhe Kisha e Trinisë së Shenjtë, e cila ofron një pamje të gjerë të luginës poshtë.

Kalaja e Girokastrës

Rreth tre orë rrugë nga Tirana ndodhet Tepelena, e famshme për burimet e ujit më të mirë në Shqipëri, dhe që lidhet me vendlindjen e Ali Pashait, guvernator shqiptar në kohën e Perandorisë Osmane i cili priti në oborrin e tij njerëz të famshëm, përfshirë poetin anglez Lord Bajron.

Gjirokastra njihet edhe si vendlindja e ish-diktatorit Enver Hoxha (shtëpia e familjes së të cilit është kthyer në një muze interesant etnografik mund të vizitohet), dhe është një xhevahir guri pak kilometra larg Greqisë.

Një shëtitje në qendrën e saj historike, midis rezidencave të shekullit XIX, pazareve ku mund të blini qilima përpara se të arrini në kala e cila ofron pamje të pakrahasueshme mbi çatitë e qendrës historike dhe malet përreth.

Rreth 36 kilometra nga Gjirokastra ndodhet qyteti i Përmetit i cili është i famshëm për glikotë, një komposto e bërë nga fruta dhe sheqer, dhe banjat termale të Bënjës.

Banjat termale të Bënjës

Për t’i arritur ato, dilni nga qendra e vogël historike, kaloni Kishën e Shën Mërisë në Leusë, një kryevepër ortodokse e shekullit XVIII, e ndërtuar mbi mbetjet e një ndërtese të shekullit VI, derisa të arrini në destinacionin tuaj.

Banjat natyrore rrjedhin pranë një ure të vjetër të kohës osmane.

Shtrirja e rrugës që lidh Përmetin dhe Korçën është sfiduese, por ofron pamje mahnitëse. Udhëtimi prej katër orësh ndërpritet me një ndalesë për shije në fshatin Gërmenj, në fermën Sotira, një fermë e drejtuar nga familja, ku kryefjala është bio.

Korça është qyteti i artit dhe i ushqimit të mirë, një destinacion i preferuar i vendasve për pushimet dimërore, falë reshjeve të dendura të borës dhe një destinacion i gjallë veror kur pret festën e birrës, e cila çdo vit në gusht gjallëron netët e Pazarit të Vjetër i rinovuar para disa vitesh.

Më në lindje, ndodhet Pogradeci me Liqenin e Ohrit, Lini, Driloni dhe Tushemishti me koranin e tyre të shijshëm, një peshk i ujërave të ëmbla që jeton vetëm në këtë zonë./atsh/

Exit mobile version