Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të hënën pasdite vizitoi Kombëtaren e Kosovës në futboll. Ai i falënderoi futbollistët për emocionet që po ia japin popullatës së Kosovës dhe shqiptarëve kudo që jetojnë, derisa i uroi fat dhe sukses në dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Euro 2024.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e falënderoi Ramën për vizitën dhe i njoftoi futbollistët se kryetari i Komunës së Prishtinës ka vendosur të ndërtojë një stadium modern në Bernicë. Rama shprehu angazhimin e tij të plotë për ta realizuar këtë projekt në bashkëpunim me presidentin Ademi, ka bërë të ditur FFK.
Në fjalën e tij, Rama vuri në pah bashkëpunimin me të parin e FFK-së.
“E kemi një bashkëpunim fantastik me presidentin Ademi, i cili është duke bërë një punë fenomenale për të ardhmen e vendit tonë. Ju falënderoj juve secilit individualisht që po e bëni të pamundurën për të çuar Kosovën në majat e botës. E di se keni lënë shumë prej jush mundësi shumë më të mëdha, por mundësi dhe nder më të madh shpirtëror dhe dashuri më të madhe që ndjen moralisht se sa luash për vendin tënd nuk ka. Kështu që ju keni bërë zgjedhjen e duhur dhe ju lumtë të gjithëve”, ka theksuar Rama.
Kryetari i Komunës së Prishtinës e siguroi kombëtaren për mbështetjen dhe përkrahjen e tij të vazhdueshme, duke shprehur besimin e tij në suksesin e tyre në ndeshjet e ardhshme.