UBT News

​Rama: Shqipëria me Holandën do të përgatisin propozim për Komunitetin e Ri Politik Evropian

Kryeministri Edi Rama u shpreh në një komunikim rreth takimit me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte se “vizita në Hagë ka pasur një lajm të jashtëzakonshëm për moralin dhe perspektivën e Shqipërisë”.

“Shqipëria bashkë me Holandën do të përgatisin një propozim të tyre për se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale evropiane, ideja e Presidentit të Francës për Komunitetin e Ri Politik Evropian”, theksoi Rama.

“Kjo është një ide e re për të gjeneruar një energji dhe fuqi të re europiane, pa e zëvendësuar dhe as anashkaluar procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian”, tha Rama.

“Ndërsa ideja e propozimit shqiptaro-holandez mori jetë pikërisht gjatë vizitës në Hagë, ku duke vlerësuar lart punën dhe arritjet e Shqipërisë, po edhe duke çmuar kontributin tonë kritik në tryezën e Këshillit Evropian, kryeministri Mark Rutte më kërkoi të hidhnim në letër, bashkarisht, si dy vende mike, njëri në rrënjët e BE-së, tjetri ende jo në BE, një këndvështrim të përbashkët për sesi duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri politik evropian”, u shpreh kreu i qeverisë së Shqipërisë.

Ky, nënvizoi Rama, “është një moment i paimagjinueshëm deri pak vite më parë i Shqipërisë në arenën politike ndërkombëtare dhe më gjerë si edhe një shprehje prekëse për Shqipërinë e për shqiptarët”.

“Do të punojmë me kryeministrin Rutte dhe skuadrat tona për të nxitur një debat konstruktiv e produktiv për Evropën e të gjithë europianëve, në Samitin e Madh për këtë temë, në Pragë tetorin e ardhshëm, ku do të paraqesim edhe propozimin tonë”, theksoi Rama./ATA

Exit mobile version