Procesi i rimbursimit me kartat e naftës falas për fermerët po vijon në të gjithë Shqipërinë.
Ka nisur shpërndarja e kartave për fermerët për naftën falas për punime të mekanizuara në bujqësi, me fondin shtesë të buxhetit prej 500 milionë lekë, nga paketa e rezistencës sociale.
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjete sociale bën të ditur se, deri më sot janë shpërndarë kartat për 27,000 fermerë .
“Mirëmëngjes dhe me lajmin e mirë se mbështetja vijon për fermerët me naftën FALAS, ku deri më sot janë shpërndarë kartat për 27,000 fermerë dhe brenda shtatorit do mbështeten edhe 9,000 fermerë të tjerë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Skema e naftës pa taksa për bujqësinë nisi në fillim të këtij viti, me një buxhet prej 950 milionë lekë. Me paketën e rezistencës sociale, kësaj skeme iu u shtua fondi edhe me 500 milionë lekë të tjera.
Këtë vit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, programoi për të dytin vit radhazi, fondet për subvencionin e naftës, si masë e nevojshme në mbështetje të sektorit të bujqësisë. Aktualisht skema e subvencionit të naftës përcakton si përfitues të naftës falas fermerët e kulturave bujqësore, si: grurë, misër, fasule, luledielli, tërshërë, thekër, bimë aromatike-mjekësore, etj./atsh/