UBT News

​Puna në bizneset hoteliere në Shqipëri u rrit me 23% në 2 muaj

Kontributi i sektorit të turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe në rritjen e punësimit u përshpejtua në 2-mujorin maj-qershor të këtij viti.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj publikoi sot në rrjete sociale statistikat zyrtare mbi kontributin e këtij sektori në ekonominë e vendit.

“Turizmi kontribut pozitiv për ekonominë e vendit duke shënuar një rritje me 23% të qarkullimit të biznesit në sektorin e Hoteleri-Turizmit, referuar deklaratave të TVSH-së për periudhën maj -qershor 2022 krahasuar me maj-qershor 2021”, shkroi Ibrahimaj.

Sipas saj, pothuajse të gjithë aktivitetet e këtij sektori rezultuan me rritje, përkatësisht “Akomodime të tjera” me 80% dhe “Hotele dhe struktura të ngjashme” me 57%.

Ibrahimaj theksoi se edhe punësimi gjithashtu shënoi rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ose me rreth 23% krahasuar me periudhën para pandemisë (2019).

“Këto shifra dhe jo perceptimet që përshfaqen lart e poshtë këto ditë, tregojnë qartë për ecurinë e këtij sektori të rëndësishëm, rritjen e konsumit dhe vlerën që turizmi ka në rimëkëmbjen e ekonomisë”, theksoi ministrja Ibrahimaj.

Exit mobile version