Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe raportohet se ka tre klube që do të konkurrojnë për nënshkrimin e tij në afatin kalimtar të verës
23-vjeçari do ta përfundojë kontratën e tij në “Parc des Princes” në qershor dhe ai tani është i lirë të negociojë marrëveshje parakontraktuale me klube të tjera.
Real Madridi besohet se është duke e kryesuar garën për të nënshkruar me Mbappen, dhe pretendohet se gjigantët spanjollë po bëjnë një propozim final për kontratën e francezit, transmeton KosovaPress.
Klubi aktual i Mbappes, PSG, ndërkohë shpreson ta lidhë sulmuesin me një marrëveshje të re; megjithatë, ish-futbollisti francez Jerome Rothen pretendon se një klub i tretë i është bashkuar garës për nënshkrimin e lojtarit, por ai klub nuk është Barcelona.
Duke folur në emisionin “RMC Rothen On Fire” në Francë, Rothen tha: “Sipas informacionit që më është dhënë, është një klub i tretë që ka hyrë në betejë dhe që gjithashtu mund ta bëjë Mbappe të mendojë”.
“Unë nuk e di identitetin e këtij klubi, por ajo që është e sigurt është se nuk është Barcelona. Më është konfirmuar nga rrethi. Barcelona nuk mund të shkojë drejtë këtij operacioni dhe ka shumë arsye për këtë. Por sot në Evropë, nuk ka shumë klube që mund të marrin Kylian Mbappen. Është mes PSG-së, Realit dhe ndoshta edhe një klubi tjetër”, ka thënë gazetari në fjalë.
Rivalët për titullin e Premierligës, Manchester City dhe Liverpooli janë dy klube të tjera evropiane që më parë kanë qenë të lidhur me Mbappen, i cili ka shënuar 28 gola dhe 20 asistime në 38 ndeshje për PSG-në në të gjitha garat këtë sezon.