Në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në Shqipëri, ka nisur sot viti i ri shkollor 2022-2023.
Pas dy vitesh pandemi mësimi në shkolla pritet të jetë më i lehtësuar nga masat anti-Covid.
Këtë vit lënda e teknologjisë së informacionit do të fillojë që në klasë të parë, pas anglishtes që u aplikua një vit të parë. Në 100 shkolla do të pilotohet për herë të parë lënda e informatikës.
Gjatë këtij viti shkollor u zhvillua edhe ndarja e teksteve falas nga klasa e parë deri në të nëntën.
Këtë vit në shkolla do të ketë 235 punonjës psiko-socialë më shumë, si dhe 250 mësues ndihmës më shumë për t’i ardhur në ndihmë dhe për t’i shërbyer nxënësve me aftësi ndryshe.
Gjithashtu gjatë këtij viti shkollor do të ketë edhe 70 oficerë sigurie më shumë jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe ato 9-vjeçare për të garantuar më shumë siguri e mbrojtjes, por edhe për të parandaluar çdo lloj rreziku që mund t’i shfaqet nxënësit.
Gjatë këtij viti shkollor nxënësit do të kenë edhe një javë më shumë pushim pas periudhës së dytë mësimore, nga data 3-9 prill 2023. /ATSH/