Nuk ka kaluar as një vit qëkur Vedat Muriqi zbarkoi në ishull për të nënshkruar për Mallorcën. Ishte merkato dimërore e sezonit 2021-22 dhe skuadrës spanjolle i duhej një sulmues për të luftuar për të qëndruar në elitën e futbollit spanjoll.
Ardhja e kosovarit i befasoi tifozët e kësaj skuadre, ai nuk po luante me Lazion dhe numrat e tij nuk ishin tërheqës. 33 ndeshje dhe 14 gola ishte rezultati i tij.
Muriqi tashmë është idhull në Mallorca. ‘Il Pirata’, i cili e përjetoi luftën ballkanike si fëmijë ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën spanjolle “Marca”, në të cilën ka folur edhe për luftën në Kosovë.
Muriqi e nis intervistën duke folur për të ardhmen e tij. Ai ka siguruar klubin aktual se nuk e ka ndërmnend të largohet, e aq më pak në afatin kalimtar të janarit.
“Nuk kam menduar kurrë të largohem. As në janar, 100% jo. Por është diçka që nuk është në dorën time sepse ndonjëherë vjen një skuadër që mund të pajtohet me Mallorcan, më thonë ‘po të shesim’ dhe nuk mund të them asgjë. Kam një kontratë shumëvjeçare me Mallorcan dhe nuk dua të largohem kurrë. Jam i lumtur këtu, edhe familja ime, po luaj dhe po kaloj mirë, mendoj dhe prandaj nuk kam menduar kurrë të largohem”, tha Muriqi.
Tutje sulmuesi kosovar shton se nuk dëshiron të rrezikojë duke kaluar tek ndonjë skuadër tjetër ku mund te ketë një përvojë të hidhur ashtu siç i kishte ndodhur te Lazio.
“Personalisht më pëlqen shumë ky mot. Jemi në janar dhe ka diell. Familja ime është rehat, fëmijët shkojnë shumë mirë në shkollë. Ndonjëherë kur ke familje dhe fëmijë duhet të mendosh më shumë për ta sesa për veten, dhe këtë po bëj tani. Edhe për mua, sepse jam mirë që pas Fenerbahçes, kur shkova në Lacio, kam pasur një përvojë të keqe dhe nuk dua të dështoj më”, shtoi ai.
Ai më pas kujton luftën në Kosovë duke thënë se nuk do të dëshironte që askush të mos e përjetonte një gjë të tillë.
“Unë gjithmonë them që asnjë qenie njerëzore nuk duhet të shohë gjërat që kam parë unë gjatë atyre viteve. Duhet të arratisesh nga shtëpia se erdhën disa ushtarë, të thonë se do të vendosin bomba dhe ti duhej të ikje. Shkuam në Shqipëri dhe ishte një kohë shumë e vështirë. Nëse shikoj pjesën pozitive, ajo më ka bërë që t’i vlerësojë gjërat e vogla”, shton sulmuesi i Kombëtares së Kosovës.
Muriqi flet edhe për fëmijërinë e tij duke thënë se nisi të punonte që kur ishte 9 vjeç.
“Fillova të punoja në një restorant në pronësi të dajave të mi kur isha nëntë vjeç. Aty bëja gjithçka: kamarier, ndihmë në kuzhinë etj. E gjithë kjo derisa mbërrita në Shqipëri në moshën 16-vjeçare. Gjatë asaj kohe, vetëm unë mund të punoja për të mbajtur nënën dhe motrën time, pasi babai im vdiq në luftë. Ai kishte edhe shkollë dhe futboll; dhe kjo është arsyeja pse vendosa të lë shkollën, sepse nuk mund ta lija futbollin, është jeta ime. E di që nuk e kam dalë mirë duke e lënë shkollën dhe tani mund të them se kam qenë shumë me fat”, thotë ai.
Në fund, Muriqi theksoi se u mor me futboll pasi nëna e tij këmbënguli që ta bënte këtë.