Ylli i Paris Saint-Germain, Neymar ka konfirmuar se do të vazhdojë të ardhmen e tij në Paris, pasi që i ndihmoi ata të eliminonin Bayern Munichun nga Liga e Kampionëve mbrëmë.
Pavarësisht fitores së Bayernit 1:0 në ndeshjen e dytë të çerekfinales, PSG arriti që të sigurojë biletën drejt gjysmëfinales, për shkak të golave si mysafirë, ku në ndeshjen e parë parisienët mposhtën “Bavarezët” me rezultat 3:2.
Mbrëmë pas ndeshjes, Neymar, kontrata aktuale e të cilit skadon në vitin 2022, tha që vazhdimi i saj nuk është më problem, dhe se ndjehet shumë mirë tek PSG.
“Vazhdimi i kontratës me PSG nuk është më problem. Natyrisht që ndihem shumë mirë, si në shtëpi tek PSG. Ndjehem shumë i lumtur, si kurrë më parë”, tha Neymar për “ESPN Brazil”, deklaroi ai.
Po ashtu, pas ndeshjes foli edhe presidenti i PSG, Nasser Al-Khelaifi, i cili tha që, as Neymar, as Mbappe nuk kanë asnjë arsye për t’u larguar nga klubi.
“Kemi investuar shumë në klub për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe të gjithë trofetë e mundshëm”, tha Al-Khelaifi për “RMC Sport”. Neymar dhe Kylian nuk kanë asnjë arsye për t’u larguar. E kemi çdo gjë që na duhet që të fitojmë çdo titull të çdo gare. Ne e kemi një skuadër tejet të mirë, kemi respekt për të tjerët, por ne jemi me ta. Jemi duke punuar”, shtoi presidenti i klubit parisien.
Neymar së bashku me Mbappe ishin më meritorët në dy ndeshjet e Parisit kundër Bayernit, ku e ndihmuan skuadrën e tyre që të prek përsëri gjysmëfinalen.
Për brazilianin në vazhdimësi është spekuluar se një rikthim te Barcelona ishte i mundshëm, kurse për Mbappen nuk ka ende zhvillime rreth vazhdimit të kontratës, dhe për këtë të fundit raportohet se Real Madridi dhe Liverpooli janë dy skuadrat që kanë treguar interesim serioz për shërbimet e yllit francez.