Banka Ekonomike të premten ka hapur ekspozitën për librin e realizuar me fotografi të quajtur “Në tokën amë Kosovë” që promovon bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të vendit. Në ceremoninë e hapjes, fotografitë e këtij libri iu dhuruan Muzeut të Kosovës, një akt ky që u vlerësua nga përfaqësuesit e këtij institucioni.
Përmes dizajnëve, fotografive, lokacioneve gjeografike e vendeve kulturore nga Kosova, është edhe teksti që shpjegon trashëgiminë e pasur kulturore e natyrore. Ky libër është përshkrues i denjë i bukurisë së rrallë natyrore të Kosovë dhe historisë që në vete bartë toka e Kosovës.
Libri shpalos natyrën dhe kulturën e vendit tonë, por në të njëjtën kohë specifikon një projekt të krijuar nga Banka Ekonomike që është vet simboli i vendores, 100% e vendit.
Me këtë rast, kryeshefi ekzekutiv i Bankës Ekonomike, Shpend Luzha ka thënë se kjo bankë është kontribuuese dhe mbështetëse aktive e kulturës, sportit dhe artit në Kosovë për ruajtjen e këtyre vlerave dhe trashëgimisë kulturore të vendit tonë.
Luzha shtoi se libri ka për qëllim promovimin e një shteti me vlera.
“Ne gjithmonë punojmë dhe veprojmë për të mirën e vendit, duke synuar në promovimin e një shteti me vlera. Fotografitë e dokumentuara nga fotografët tanë të njohur, me mbi 480 fotografi përbën një mori të dhënash mbi trojet tona, vendet arkeologjike, objektet fetare, botën e gjallë, egërsinë e natyrës, institucionet e kulturës dhe trashëgiminë që ruajmë me nder të veçantë. ‘Në tokën amë Kosovë’ janë të dokumentuara nga koha dhe momente të ndryshme, e kjo për të dëshmuar vlerën e vendit tonë edhe pse ndonëse një vend i vogël, por që ofron shumë”, theksoi ai.
Përfaqësuesja e Muzeut të Kosovës, Dafina Morina duke falënderuar Bankën Ekonomike për këtë donacion, ka thënë se libri me fotografi të bukurive natyrore dhe trashëgimisë kulturore është me rëndësi për vizitorët e muzeut.
“Këto fotografi që ju i dhuroni si donacion Muzeut Kombëtar të Kosovës do të shfrytëzohen për vizitorët vendorë dhe të huaj të muzeut. Kështu që njoftohen më afër me bukuritë e natyrës dhe të trashëgimisë kulturore që janë në Kosovë”, theksoi ajo.
Drejtues të bankës janë mirënjohës fotografëve të cilët i kanë realizuar këto fotografi. Fotografitë në këtë libër janë realizuar nga fotografët; Bleron Llugiqi, Arian Mavriqi, Bleron Caka, Meriton Dajakaj, Shkëlzen Rexha, Hydajet Hyseni, Ruzhdi Pacolli, Shpëtim Kaliqani dhe Albert Sinani.
Ekspozita për librin do të jetë e hapur tri ditë në lapidariumin e Muzeut të Kosovës.