Eshtë viti i tetë që ndryshon përsëri mosha e nevojshme për të fituar pensionin e pleqërisë. Kjo ndodh që prej reformimit të skemës në 2015-n. Në vitin 2023, sipas ligjit respektiv për sigurimet shoqërore, mosha e daljes në pension për gratë është rritur me 4 muaj të tjerë, ndërsa portofolit të sigurimeve i shtohen edhe 4 muaj të tjerë.
Kështu, prej fillimit të muajit janar të vitit 2023 të gjithë ata që mbushin moshën e daljes në pension këtë vit e që duan të përfitojnë pension të plotë pleqërie, do të duhet të kenë 38 vite periudhë kontributive nga 37 vite e 8 muaj që ishte një vit më parë.
Ndërsa për gratë, mosha e daljes në pension është 61 vjeç e 8 muaj. Rritja do të vijojë deri në vitin 2052, ku si për gratë edhe për burrat mosha e daljes në pension do të jetë 67 vjeç.
Cilat janë ndryshimet?
Nëse një vit më parë mosha e daljes në pension për gratë ishte 61 vjeç e 4 muaj, këtë vit bëhet 61 vjeç e 8 muaj. Efektet e skemës së ndryshuar të pensioneve do të ndihen edhe në vitet kontributeve, që duhen plotësuar për të përfituar pension të plotë.
Skema parashikon që “portofoli” i sigurimeve të rritet me 4 muaj, përkatësisht nga 37 vite e 8 muaj që ishte një vit më parë të bëhet 38 vite.
Kjo nuk vlen vetëm për gratë, por edhe për burrat, të cilët për të marrë pension të plotë duhet të plotësojnë dy kushte, së pari, moshën 65 vjeç, e cila nuk ndryshon deri në vitin 2032 dhe së dyti, vitet e punës, ku për këtë vit pragu është 37 vite e 8 muaj. Janë më shumë se 14 mijë persona që çdo vit mbushin moshën e daljes në pension.
Formula e re përcakton një pension bazë dhe shtesën. Pensioni bazë është rreth 8800 lekë, ndërsa shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit, është 1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara.
Për këtë vit janë 4.7 miliardë lekë ose rreth 45 milionë dollarë që do të ndahen, por pjesa më e madhe prej tyre, rreth 3.5 miliardë lekë, do të ndahen si shpërblim me rastin e festave të dhjetorit dhe vetëm 1.2 miliardë lekë ose rreth 10 milionë dollarë janë planifikuar për politika të reja pensionesh.