Me Pakon e Ringjalljes Ekonomike planifikohet të ndahen 5 milionë euro për fushat e kulturës, trashëgimisë kulturore, rinisë dhe sportit.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, në një konferencë për media tha se përmes kësaj mbështetje shtesë synojnë fuqizimin e këtyre fushave pas vështirësive që shkaktoi pandemia.
Osmani tha se 2.5 milionë euro do të ndahen për kulturë dhe trashëgimi kulturore. Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte artistike të organizatave dhe individëve (artistëve), ndërsa pjesë e skemës së mbështetjes do të jenë edhe teatrot e qyteteve, muzetë e bibliotekat komunale. Ndërsa, për mbështetjen e organizatave që janë aktive në sektorin e rinisë do të ndahen 500 mijë euro.
Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte që promovojnë fuqizimin ekonomik të të rinjve, përfshirjen në tregun e punës, ndërmarrësinë, rrjetëzimin dhe pjesëmarrjen aktive.
“Dy milionë euro nga kjo masë e mbështetjes do të ndahen për zhvillimin e sportit. Kjo do të jetë hera e parë që MKRS do të hapë thirrje publike për subvencionimin e aktiviteteve në fushën e sportit. Thirrjet publike do të hapen së shpejti, ndërsa ne do t’ju mbajmë rregullisht të informuar për të gjitha detajet për të përfituar nga kjo skemë e mbështetjes”, tha Osmani.
Ajo i ka ftuar të gjithë individët dhe organizatat që të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë e mbështetjes.