UBT News

​Krerët e shtetit bëjnë homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve” për 5 Majin

Krerët më të lartë të shtetit shqiptar bënë sot homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve”, me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut.

Të pranishëm në homazhe ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtues të tjerë të shtetit.

Ata vunë kurora me lule në monumentin “Nëna Shqipëri” në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit.

5 Maji është Dita e Dëshmorëve të Atdheut që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare.

Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Në ditën e Dëshmorëve, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla theksoi se sakrifica e dëshmorëve për lirinë është trashëgimi e shenjtë.

“Sot nderojmë me përulësi Dëshmorët e Atdheut. Sakrifica sublime e dëshmorëve për lirinë është një trashëgimi e shenjtë dhe ndër legacitë sipërore të kombit. Është thirrja t’i shërbejmë Shqipërisë me të gjitha energjitë dhe fuqinë e shpirtit, t’i përkushtoheni të ardhmes sonë evropiane, në krah të aleatëve të mëdhenj, SHBA e BE, dhe kombeve të qytetëruara.Është inspirimi për kontributet tona për zhvillim, mirëqenie, dinjitetin njerëzor dhe drejtësinë shoqërore. Kombet që nderojnë historinë janë më të lirë e më të qartë të ndërtojnë të ardhmen e tyre”, shkruan Nikolla. /ATSH/

Exit mobile version