“Të Kuqtë” u rikthyen përsëri në Top 4, ku mbrëmë arkëtuan tre pikë kundër Tottenham, dhe tani janë vetëm katër pikë larg liderëve të Premier Ligës, Manchester Cityt.
Trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp ka thënë që skuadra e tij e tregoi vetën mbrëmë në fitoren 1:3 kundër Tottenham.
Liverpooli u rikthye në Top 4, duke ruajtur hapin me liderin Manchester Cityn në vetëm katër pikë, por skuadra e Pep Guardiolas ka një ndeshje më pak se kampionët aktual.
Pas ndeshjes Klopp foli për “BT Sport” ku u pa tejet i kënaqur, dhe po ashtu foli edhe për lëndimin e mbrojtësit Joel Matip.
“Ne shënuam gola në momentet e duhura, gola fantastik. Lojtarët e duhur konkretizuan golat. Çdo gjë është mirë, përveç lëndimit të Joel Matip. Çfarë pash sot, nuk kishte lidhje me formën momentale, treguam se kush jemi në të vërtetë. Sot, më saktësisht në pjesën e dytë, treguam se çfarë jemi në gjendje të bëjmë, një luftë e vërtetë, por mbi të gjitha ky është futbolli. Nuk i di shumë mirë statistikat, por e di që për disa minuta në pjesë të parë, nuk më kujtohet që ata kanë pasur shumë posedim të topit, çdo gjë ishte e shpejtë, me kundërsulme, dhe veçanërisht reparti i mbrojtjes ishin në nivelin e tyre, Ishte një performancë tejet e mirë, dhe i pashë shumë gjëra të cilat i kam kërkuar nga lojtarët”, tha Klopp për “BT Sport”.
Pjesa e parë e kësaj përballje u mbyll me rezultat minimal 0:1, me golin e Roberto Firminos. Menjëherë me fillimin e pjesës së dytë, në skenë doli mbrojtësi Trent Alexander-Arnold i cili shënoi golin e dytë për Liverpoolin.
E shpejtë ishte kundërpërgjigja nga Tottenham, ku me një gol të bukur nga Hojbjerg, ngushtuan rezultatin në 1:2, teksa ndeshjes i dha fund goli i Sadio Manes, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar 1:3.
Me këtë fitore, Liverpooli ngjitet në pozitën e katërt në tabelë, me katër pikë më pak se lideri Manchester City, ndërsa Tottenham gjendet në pozitën e gjashtë në tabelë, tani katër pikë larg Top 4, dhe tetë pikë larg vendit të parë.