Emisari special amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar deklaroi se SHBA shpreson që Maqedonia Veriore shumë shpejt do të fillojë konferencën ndërqeveritare me BE-në.
Ai në një intervistë në emisionin 360 gradë në Alsat, ka thënë se për këtë janë duke punuar edhe me partnerë të BE-së.
“Dua të filloj me mesazhin se Maqedonia Veriore meriton të jetë pjesë e BE-së. Pjesa juaj kulturore, historike dhe gjithnjë e më shumë ekonomike e Evropës, ju duhet të keni një vend në atë tryezë. Për më tepër ju keni bërë një reformë shumë të mirë që ju kualifikon për të nisur procesin. Ne po punojmë ngushtë me partnerët e BE-së, të gjithë partnerët e BE-së për të siguruar që kjo të ndodhë shumë shpejt. Ishte shpresa jonë dhe vazhdon të jetë shpresa jonë që konferencën ndërqeveritare ta filloni këtë vit, e nëse jo këtë vit sa më shpejt vitin e ardhshëm. Pra përgjigja është po, ne jemi në komunikim me të gjithë partnerët e BE-së për këtë”, tha Escobar.