Për 23 vjet radhazi, sytë e saj rrallë janë tharë nga lotët. E lodhur nga mosha e mërzia, ajo mezi ec e qëndron në këmbë. Hasime Doqi nga Klina, çdo ditë pret një lajm për djalin e saj dhe kujton amanetin që ia ka lënë ditën e 6 majit. “Para çdo feste po mërzitem shumë, shpirti po më dhemb se nuk e di ku e kam djalin”, është fjalia që shoqëron fotografinë bardh e zi.
Nënë Hasimja është pjesë e 35 fotografive të familjarëve të personave të zhdukur që janë ekspozuar në “Sheshin Skënderbeu” në Prishtinë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me organizim të Kryqit të Kuq.
Mes lotëve, ajo rrëfen për ditën kur pa e dëgjoi fjalët e fundit të djalit të saj, i cili e la siç thotë ajo me pasoja të mëdha.
“Djalit, eshtrat nuk po ia gjejmë askund. Djali i djalit 14 muajsh edhe ai, vdiq vëllai 47 vjet… Rrafsh që 1 muaj ditë, sytë e mi nuk janë ter asnjëherë vetëm duke qarë… Kur po vijnë këto ditë nuk po mundem të qëndrojë. Me 6 maj që ma kanë marrë në Dobërdol, edhe fjalën e fundit ma ka thënë ‘nëna jem këtë çikë amanet po ta lë’. I thash ani djali jem se kurban i çikës bëhem, por dashtë Zoti nuk ju gjen asgjë. Por, i kam dëgjuar krismat, kam qenë ulur dhe thash djemtë na i vranë. Po tash po rroj me pasoja të mëdha”, tregon e moshuara mes lotëve.
Përveç dhimbjes, ajo flet me indinjatë edhe për atë që kanë bërë institucionet për të dhe shumë familjarë të tjerë nga Kosova.
“Jo, nuk kanë punuar si duhet. Asnjë absolut, kanë punuar për karriget e veta, për neve nuk kanë punuar asgjë. Nëse kishin punuar në fillim, kështu nuk do të zgjatej. Por, nuk kanë punuar dhe na kanë hedhur kështu si ‘mishin e domit’. S’po i intereson askujt për neve edhe po duhet me u përmbajt siç mundemi”, shton ajo.
Të pakënaqur po shprehen edhe familjarë të tjerë, ku Bajram Çerkinaj nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur thekson se kjo çështje ka stagnuar tërësisht.
“Kemi pritur 30 gushtin që të mos jetë kaq punë e stagnuar apo të thuhet bash e ndalur, sikur edhe vitet e tjera ku kemi pasur një numër të madh të pagjeturve dhe sot ku kemi 1617 të pagjetur. Çka ka ndodhë brenda këtij 30 gushtit, unë të them se ky 30 gusht, unë mendoj se nuk është ka e lëshon politika duke e lëshuar të shkojë përpara për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ne nuk kemi tjetër kërkesë, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve duhet të kyçen të gjithë ata njerëz që janë humanë. Edhe politika është pak më e gjerë dhe të kryejë të tjera punë. Kemi pasur shumë takime, mendimi i familjarëve është që politika të qëndrojë larg kësaj çështje që është një ankth plot 23 vjet”, deklaron ai.
Derisa sheh fotografitë e ekspozuara të familjarëve të personave të zhdukur, ai thekson se të gjitha këto tregojnë dhimbjen. Ai kërkon nga institucionet që të punohet në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe politika të qëndrojë larg.
“Mjerisht politika e Brukselit i përfshin të gjithë këta, edhe serbët edhe shqiptarët. Edhe Beogradi edhe Prishtina. Nuk bën grupi punues të jetë i stagnuar plot që 15 muaj nuk ka pasur takim. Pse? Se politika nuk po i len të punojë në pjesën humane, por i ka shti në ombrellën politike dhe nuk i lëshon të punojë dhe të paktën t’i kthehet një asht familjarëve”, shton ai.
Koordinatorja e programit të personave të pagjetur në kuadër të Kryqit të Kuq, Adelinë Syla shprehet se është e dhimbshme se akoma mbi 1 mijë e 600 persona figurojnë të zhdukur. Sipas saj, familjarët janë gjithmonë në pritje e ankth.
“Qëllimi kryesor i kësaj ekspozite është sensibilizimi me familjarët e personave të zhdukur, përmes fotografive që i kemi realizuar. Siç e shihni fotografitë janë bardh e zi dhe anash fotografive janë thëniet, të cilat i kanë thënë familjarët e personave të zhdukur, gjatë vizitave që i kemi bërë ne si Kryq i Kuq i Kosovës… Jemi munduar që të përfshijmë të gjitha komunat me familjarët që kanë pranuar të jenë pjesë e ekspozitës. Janë gjithsejtë 35 fotografi, normalisht nuk kemi pasur mundësi t’i përfshijmë të gjithë, për shkak se edhe numri është i madh. Jemi munduar të prekim të gjitha komunat që kanë persona të zhdukur”, përfundon Syla.
Ekspozita me familjarët e personave të zhdukur do të qëndrojë e hapur deri në orën 18:00. Kujtojmë që Kosova kërkon zbardhjen e fatit edhe të mbi 1 mijë e 600 personave, në mesin e tyre edhe mbi 100 fëmijë.