Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, ka sugjeruar në mbledhjen e kryesisë së partisë që protesta e radhës e opozitës të mbahet më 6 dhjetor, në ditën kur në Tiranë do të mbahet samiti i BE-së.
“Ne mirëpresim dhe konsiderojmë nderim të veçantë për kombin shqiptar, ardhjen e kryetarëve të shteteve të Bashkimit Evropian.
Protesta jonë synon para së gjithash të dëshmojë se në këtë vend, i cili po varfërohet, vidhet e shkretohet çdo muaj e më shumë, aspiratat demokratike evropiane janë të pavdekshme. Në këtë kontekst, ftoj që ta marrin këtë protestë si një akt mikpritje ndaj tyre dhe pa diskutim armiqësor, flagrant të hapur armiqësor kundër Edi Ramës, i cili me aferat e tij turpëron lirinë, pluralizmin, transparencën e çdo gjë tjetër”, tha Berisha në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike.
Protesta e fundit e opozitës u mbajt të shtunën e javës së kaluar, më 12 nëntor, ku veç Partisë Demokratike, mori pjesë edhe Partia e Lirisë dhe partitë e tjera opozitare. Kryeministri Edi Rama e ka quajtur mbajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë si ngjarjen më të madhe në histori të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.