UBT News

​Barcelona shënon fitore të thellë kundër Getafes

Barcelona ka vazhduar me fitore për të mbajtur gjallë shpresat në garën për titullin e La Ligas, ku e ka mposhtur Getafen 5:2 në “Camp Nou”.

Rezultatin të parët e zhbllokuan “Blaugranët” përmes yllit Lionel Messi, të cilit iu deshën vetëm 8’ minuta për të shënuar për 1:0. Menjëherë pas katër minutave, ishte mbrojtësi i Barçës, francezi Lenglet i cili shënoi në portën e tij, për ta ndihmuar Getafen që t’i barazoj shifrat në 1:1.

Por, Barcelona u kundërpërgjigj shpejt, ku për pesë minuta shënoi dy gola, një në minutën e 28’ përmes autogolit të mbrojtësit Chakla, dhe një në minutën e 33’, sërish përmes Messit.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat 3:1. Pjesën e dytë më mirë e filloi Getafe, ku në minutën e 69’ sulmuesi Enes Unal shënoi nga pika e bardhë, për të ngushtuar shifrat në 3:2.

Në fund të ndeshjes, Barcelona shënoi edhe dy gola të shpejtë për të thelluar rezultatin në 5:2. Fillimisht ishte mbrojtësi Araujo i cili shënoi në minutën e 87’ nga asistimi i Messit për 4:2, ndërsa në minutat shtesë, në 90+3’ u akordua penallti në favor të Barçës, ku Griezmann nuk gaboi dhe shënon për 5:2, njëherit golin e fundit në ndeshje.

Me këtë fitore, Barcelona ngjitet në pozitën e tretë, ku ka një ndeshje më pak të zhvilluar, dhe deri tani ka arkëtuar gjithsej 68 pikë, dy më pak se vendi i dytë Real Madridi, dhe pesë pikë më pak se lideri i tabelës Atletico Madridi.

Exit mobile version