Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla prezantoi në Kuvend, projektrezolutën mbi pabazueshmërinë e pretendimeve lidhur me trafikimin e organeve në Shqipëri dhe në Kosovë.
Këto pretendime të ngritura rreth 10 vite më parë, në një raport të hartuar nga Dick Marty dhe më pas të reflektuara në disa prej pikave të një rezolute të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Balla tha se duhet të konisderohen të paargumentuara.
“Në vijim të qëndrimeve tona të kahershme për legjitimitetin e luftës heroike, çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke rishprehur qëndrimin tonë se nuk mund të vendosen paralele, midis masakrave çnjerëzore, spatrimeve etnike, deportimeve, vrasjeve, përdhunimeve dhe krimeve të luftës, nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovë, nga njëra anë, dhe integritetit dhe kauzës së drejtë, të luftës së ushtrisë së Kosovës, si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë popullit në Kosovë”, tha Balla.
Balla tha se bazuar në parimin se çdo dyshim për krime lufte duhet zbardhur nga organet e drejtësisë porse duhet të merret parasysh edhe parimi i rregullit ligjor nuk mund të ketë çështje pafundësisht në hetim dhe se çdo proces duhet të mbarojë dikur.
“Kemi arritur në konstatimin se pas dhjetë vitesh hetime të thelluara nga taskforce hetimore speciale e BE-së dhe më pas Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty, anëtar e raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për vrasje të personave me qëllim shitjen e organeve të tyre në Shqipëri apo Kosovë, të përfshira në rezolutën e Këshillit të Europës, pika 1 dhe 4 mbeten të paargumentura, paprovuara e pabazuara në prova e fakte, ndaj dhe të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare”, deklaroi Balla në fjalën e tij në Kuvend.