UBT News

​Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve nis turne historik në Kosovë e Maqedoni

Ansambli kombëtar i këngëve dhe valle i Shqipërisë do të nisë një turne historik me katër koncerte të pasura artistike, në disa qytete të Kosovës dhe në Maqedoni të Veriut.

Drejtues të ansamblit dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, sot ishin në një vizitë në Komunën e Gjakovës, ku edhe u priten nga kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini. Ata së bashku dolën në një konferencë për media, ku thanë se ky bashkëpunim me Shqipërinë është në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturorë.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini njoftoi se Ansambli kombëtar i këngëve dhe valle do të jetë në Gjakovë më 26 prill, në ora 20.30 në mbrëmje do ta kenë koncertin në Gjakovë

“Unë e di që publiku i Gjakovës, por edhe i gjithë Kosovës mezi e pret një turne të tillë, pasi me vite e dekada ne jemi frymëzuar prej prodhimtarisë së jashtëzakonshme artistike të Ansamblit të këngëve dhe valleve. Edhe një herë është ndjenjë e mirë për t’i pas në Kosovë e në këtë rast në Gjakovë”, tha ai.

Drejtori i Artistik i ansamblit këngëve dhe valleve i Shqipërisë, Sokol Marsi njoftoi se turneu do të zhvillohet në disa prej qyteteve të Kosovës. Sipas tij, më 25 prill do të jenë në Prizren, më 26 prill në Gjakovë, më 27 prill në Gjilan dhe më vonë në Shkup.

“Turneu është historik sepse zhvillohet pas shumë vitesh një turne në këtë lloj organizimi, pra në disa qytete të njëpasnjëshme dhe jehona që do të lënë koncertet e ansamblit nga qyteti në qytet, mendoj se do të jetë e jashtëzakonshme….përsa i përket pjesës artistike iu garantoj se do të jetë një koncert shumë i bukur si rrallëherë për arsye se përveç repertorit tonë të përbashkët, në këtë rast jemi kujdesur specifikisht që këngët, vallet siç mund të jenë disa këngë që janë kënduar nga artisë tradicional të qytetit të Gjakovës, Prizrenit, Prishtinës, Gjilanit e të tjera, do të jenë pjesë përformuese të koncertit tonë. Dua të veçoj një prej ikonave të muzikës kosovare siç është e nderuara Nexhmie Pagarusha, ku ne do të kemi disa këngë të zonjës, po kështu do të kemi edhe disa valle kryesisht me tematikë të Kosovës”, tha ai.

Liburn Jupolli, këshilltar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha se ky turne historik është hap më tutje drejt bashkëpunimit ndërshtetëror.

“Qeveria e Kosovës, Ministria e Kulturës e kanë prioritet të veçantë ngritjen e vlerave tona që padyshim i lartëson bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe i intensifikuar i dy shteteve tona, Kosovës dhe Shqipërisë, e gjithë kjo e shprehur kjo në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor… këto katër koncerte në seri të cilat përbëjnë me mjeshtri program të përzgjedhur me kujdes do të ofrojnë për publikun kosovarë dhe maqedonas netë të pasura dhe që solidikikojnë më tutje lidhjen tonë përmes valles, këngës dhe fjalës”, tha ai.

Vlerat e Ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve tashmë 65 vite janë vlera kombëtare.

Exit mobile version