UBT News

​Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit të OKB, ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë

Në vijim të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë në pritjen e organizuar në New York, me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, një ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë mes kombeve.

Në ceremoni merrnin pjesë ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Abdulla Shahid, përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, ambasadorë të vendeve anëtare në OKB, përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA, etj.

Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së shprehu përgëzimet e tij për zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023.

“Nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria do ta ndërtojë më tej punën mbi angazhimin e saj afatgjatë për paqen dhe sigurinë dhe mbi historikun e angazhimit të saj të fuqishëm me organizma të shumta të Kombeve të Bashkuara, për të forcuar punën e Këshillit”, tha Shahid gjatë ceremonisë.

Nga ana e tij, kryeministri Rama në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve theksoi se anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë.

“Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, që shënon edhe një tjetër gur themelor në rrugën tonë të transformimit për të përmbushur aspiratat tona si komb dhe për të kontribuar që ta bëjmë botën një vend më të mirë për ne dhe për të gjithë”, tha Rama.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në fjalën e saj përshëndetëse e vlerësoi mandatin si një përgjegjësi dhe privilegj të madh për vendin.

“Për herë të parë, 66 vjet pasi u bë anëtare e OKB-së, Shqipëria ka mundësinë të ulet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo sigurisht është një përgjegjësi e madhe. Ky pa dyshim është një privilegj i madh. Por ky është në të njëjtën kohë, një moment tejet i veçantë në historinë e Shqipërisë moderne. Ajo tregon se sa larg kemi udhëtuar dhe sa shumë kanë arritur vendi ynë dhe njerëzit tanë”, u shpreh Xhaçka.

Exit mobile version