5511 policë do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në Shqipëri më 14 maj, në ditën e zgjedhjeve lokale.
Ndërsa janë trajnuar gjithsej 7530 policë të cilët do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor.
Policia e Shtetit do të marrë në mbrojtje 57 objekte të rëndësishme në këtë proces me angazhimin e 192 punonjës të policisë nga forcat “Komando”.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi, ka bërë të ditura masat e marra për mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe të numërimit në 5211 qendra votimi.
Ai ka thënë se 57 objekte të rëndësishme në këtë provës do të merren në mbrojtje, me angazhimin e 192 punonjësve të policisë nga forcat “Komando”.
“Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, brenda afatit të përcaktuar, më datë 03.05.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ: Listën me 5511 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të ndërhyjnë në rast se kërkohet nga komisionet zgjedhore apo nga KQZ-ja. Listën me 305 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se masat shtesë do të zbatohen nga sot deri në përfundim të procesit zgjedhor.
Gjithashtu ka bërë të ditur se në Shqipëri po hetohen disa raste që lidhen me dyshime për shit-blerje të votës.
“Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, përsa i përket tentativës për shit-blerje të votës, bazuar në informacionet e siguruara nga shërbimet e Policisë në terren, si dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, ka iniciuar hetime proaktive, të cilat po kryhen në drejtimin e prokurorive të rretheve gjyqësore dhe të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për shkak të konfidencialitetit të hetimeve për këto raste, nuk mund të japim informacione të tjera”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka thënë se në Has, Patos, Kukës dhe Durrës, janë në hetim denoncime nga subjekte të ndryshme, për çështje që lidhen me procesin zgjedhor.
“Gjithashtu, strukturat e Policisë në Has, Kavajë, Patos, Kukës dhe Durrës, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, kanë trajtuar dhe aktualisht kanë në hetim, denoncime nga subjekte të ndryshme, për çështje që lidhen me procesin zgjedhor. Për të gjitha këto raste, strukturat e Policisë kanë dhënë njoftim për median dhe qytetarët”, ka shtuar ai.
Të dielën mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri ku do të zgjidhen 61 kryetarë të bashkive, dhe këshilltar bashkiakë.
Gara zhvillohet në mes të Partisë Socialiste, koalicionit “Bashkë fitojmë” nga Ilir Meta dhe Salih Berisha, si dhe Partia Demokratike e kryetarit të deleguar Enkelejd Alibeaj.