Në Shqipëri po vazhdon procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare 2021.
Në të gjithë vendin deri më tani PS kryeson me 222 mijë e 816 vota, e pasuar nga PD-AN me 176 mijë e 928 vota. LSI deri më tani ka marrë 31 mijë e 898 vota, kurse PSD 9 mijë e 391. Nisma Thurje deri më tani ka 2 mijë e 699 vota, kurse Lëvizja Vetëvendosje 943.
Deri më tani PS kryeson në 9 qarqe, madje ka arritur të jetë e para edhe në Dibër, qark me përfaqësues kryesisht demokratë.
Në qarkun e Shkodrës, Kukësit dhe Lezhës kryeson Partia Demokratike, kurse në qarqet e tjera Partia Socialiste.
Kryekomisioneri IIlirjan Celibashi në një deklaratë për mediat ditën e sotme tha se rezultati mund të dalë edhe brenda 48 orëve.
Në Njësinë nr. 10 në Tiranë, e vetmja që realizoi numërimin elektronik doli rezultati ku kryesoi PS me 6007 vota.
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi ka zgjedhur që të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke thënë se kjo dorëheqje është e parevokueshme, pa dhënë asnjë argument ditën e sotme.