UBT News

​Zaev: Kontesti me Bullgarinë nuk mund të ketë zgjidhje me qeveri teknike

Nëse jo në qershor, negociatat me BE-në do t’i fillojmë në gusht apo shtator. Ky ishte qëndrimi i sotëm i kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, sipas të cilit kompromisi mes Shkupit e Sofjes është që të dy palët të mbeten në pozicionet e tyre, ndërsa dallimet rreth historisë t’i tejkalojë koha.

Zaev theksoi se vendi nuk konteston identitetin e as rrënjët e asnjë populli, prandaj kërkon reciprocitet apo siç theksoi “Kërkojmë Evropa të jetë Evropë, as më pak e as më shumë.”

“Duhet t’i mbyllim pak dyert e historisë e t’i hapim dritaret e së ardhmes, sepse do të na kap korrenti e do të fryjë të tashmen. Kjo është politika që kemi momentalisht, me respekt të plotë ndaj historisë sonë. Lutemi për qasje evropiane nga të gjithë fqinjët, më vjen keq që momentalisht ka qeveri teknike e jo politike që të merr përgjegjësi. Prandaj them se gjithmonë kemi rezerva e nuk e dimë nëse do të ketë vendim, por duhet të punojmë që të kemi sukses, nëse ia dalim më 21 qershor do të ishte shkëlqyeshëm, nëse jo, sigurisht do të kemi hapa që t’ia dalim në gusht, shtator ose periudhën që vjen para nesh”, ka thënë Zaev tutje, raporton Alsat M.

Presidenti bullgar, Rumen Radev përsëriti nevojën për vendosjen e dialogut dypalësh në të gjitha nivelet, hartimin e udhërrëfyesve dhe përcaktimin e garancive, që Sofja të jetë e bindur se zgjidhja do të jetë proces stabil, efikas dhe i pakthyeshëm.

Ndërsa Presidenti portugez, Marselo De Souza gjatë qëndrimit në Sofje ritheksoi gatishmërinë për ta ndihmuar dialogun.

“Sa i përket Ballkanit Perëndimor e njohim historinë, e dimë se procesi është i vështirë si për shtetet që janë anëtare të BE-së edhe për ato që janë jashtë Unionit por duan të hynë në të. Ajo që ka më shumë rëndësi është klima të hapen rrugë përmes së cilave të tejkalohen dallimet, sepse mund të ketë opinione të ndryshme mbi këto dallime, por pozicioni i presidencës portugeze është dialogu, mirëkuptimi. Duam të ndihmojmë jo me deklarata publike por me mbështetje konkrete të dialogut, për të ndihmuar tejkalimin e dallimeve që të ketë rezultat – deklaroi Marselo De Souza, president i Portugalisë.

Portugalia e cila kryeson me Unionin iu ka dorëzuar Shkupit e Sofjes një propozim për zhbllokimin e negociatave mes vendit dhe BE-së, për të cilën palët kanë thënë se është bazë e mirë për zgjidhje. Krerët e shtetit paralajmëruan dorëzimin e udhërrëfyesit për zbatim të marrëveshjes dypalëshe të vitit 2017-të në Sofje e Bruksel, por kjo gjë ende nuk ka ndodhur.

Exit mobile version