Problemi më i madh i kompanive në Maqedoni për momentin është çmimi i energjisë elektrike. Nëse Qeveria nuk e ndihmon ekonominë, shumë kompani do të shuhen këtë dimër, dhe kështu një numër i madh i punëtorëve do të mbeten në rrugë, shkruan Alsat.
Situata të tilla alarmante janë vënë në dukje nga Oda Ekonomike, nga ku i kanë thënë qeverisë se për të shpëtuar ekonominë duhet sigurimi i energjisë elektrike më të lirë.
“Përpara kam të dhëna specifike për faturën e energjisë elektrike të një kompanie që është anëtare e Odës. Edhe pse në korrik të këtij viti kompania ka shfrytëzuar më pak energji elektrike se korriku i vitit të kaluar, ndërsa fatura e saj e energjisë elektrike këtë vit është pothuajse gjashtë herë më e lartë se në korrik të vitit të kaluar. Vitin e kaluar për korrikun ajo ka paguar rreth një milion denarë, ndërsa këtë vit për korrik gjithsej gjashtë milionë denarë. Cili sektor i biznesit do ta durojë këtë dhe për sa kohë?”, tha Zoran Jovanovski nga Oda Ekonomike.
Të dhënat nga Regjistri Qendror tregojnë se vitin e kaluar janë shuar gati shtatë mijë kompani, dhe deri në këtë periudhë të vitit janë mbyllur 5324 biznese. Jovanovski po ashtu theksoi se çmimi i rrymës në të gjitha vendet e tjera të rajonit është më i ulët se i yni dhe kështu kompanitë nga Maqedonia e humbin konkurrencën e tyre. Nga Oda thonë se masat dhe rekomandimet aktuale të qeverisë për kursimin e energjisë elektrike janë të pamjaftueshme, dhe thonë se askush nuk duhet t’u sugjerojë biznesmenëve të kursejnë energjinë në krizë energjetike. Para më shumë se një muaji nga Oda Ekonomike thanë se kanë dërguar kërkesa konkrete në “Ilindenska numër 2” për, siç kanë thënë, tejkalim të pjesshëm të krizës së energjisë elektrike, por deri më tani nuk kanë marrë një përgjigje konkrete. Kërkesat e Odës Ekonomike konsistojnë në eliminimin e burokracisë gjatë instalimit të fotovoltaikëve, e gjithë energjia elektrike e marrë nga burimet e rinovueshme të drejtohet në industri, në rritjen e prodhimit vendas të energjisë elektrike dhe prokurimin me kohë të mazutit dhe qymyrit. /Alsat.mk/