1 mijë hektarë tokë ndodhet nën ujë në bashkinë e Shkodër, ndërsa disa fshatra janë pa energji elektrike.
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, sot në Obot janë 600 hektarë tokë e përmbytur, më shumë se një ditë më parë.
Rruga e Obotit është e kalueshme vetëm me mjete të larta. Fshati është pa energji elektrike, ndërsa ujësjellësi ka dalë jashtë funksionit.
Aktualisht, kërkohet një mjet i ushtrisë dhe katër forca ushtarake për t’i ardhur në ndihmë banorëve.
Në njësinë administrative Dajç, fshatrat Mushan, Shirq, Suka Dajç janë pa energji elektrike. Pjesa më e madhe e Velipojës është pa energji elektrike.
Niveli i lumit Drin shënon kuotën 6.20, ndërkohë që kuota maksimale është 7.50 m.
Niveli i Liqenit shënon 7.85 m me një rritje prej 23 cm me orën 19.00 të një dite më parë. Kuota maksimale është 8.70 m.
Kurse, mbrëmjen e kaluar dhe gjatë mëngjesit të sotëm, qarku Lezhë është shoqëruar me reshje dhe stuhi të fortë, duke shkaktuar probleme në disa zona.
Probleme me energjinë elektrike ka në qytetin e Lezhës në lagjen “11 Janari” dhe në lagjen “Besëlidhja”. Në të dyja këto lagje ka prezencë të lartë të ujit, duke bllokuar banorët që nuk mund të dalin nga pallatet dhe duke vështirësuar qarkullimin në rrugë. Bizneset në katet e para po qëndrojnë mbyllur për shkak të pranisë së ujit. Mësimi është ndërprerë në disa shkolla të qytetit. Energjia elektrike mungon dhe në disa fshatra.
Shiu vazhdon dhe këtë paradite, kur për disa minuta u shoqërua me breshër të fuqishëm.
Era e fortë përgjatë gjithë natës që vazhdon ende të jetë e fuqishëm ka shkaktuar mungesë të furnizimit me ujë edhe në disa zona të Vlorës.
Aktualisht, pa energji elektrike janë fshatrat Orikum, Dukat, Llogora,Radhime, Kallarat, Bolene, Vranisht, Mesaplik, Terbac, Brataj, Velcë, Bashaj, Sevaster, Gorisht, Dushkarak, Mazhar.
Ndërkohë, niveli i Vjosës gjatë mbrëmjes së djeshme arriti në 6:30 metra duke dalë nga shtrati në pjesën e pazarit tek Ura e Mifolit. Tani, niveli ka rënë në 5.8 metra, ndërsa pritet që prurjet të intensifikohen gjatë pasdites si pasojë e shiut të dendur në jug të vendit.
Përmirësim ka njohur lundrimi detar, trageti i Linjës Vlorë-Brindizi pritet të mbërrijë gjatë mesditës si pasojë e rënies së fuqisë së detit i cili shënon 6-7 ballë në det të hapur.
Peshkarexhat dhe anijet e vogla do të vazhdojnë të jenë të pezulluara.
Shkollat në Bashkinë e Vlorës e Himarës kanë vijuar procesin mësimor pa probleme, ndërsa përjashtim bën shkolla e Dukatit ku mungon energjia elektrike.
Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në disa kryqëzime dhe rrugë të qytetit të Durrësit.
Prania e ujit në rrugë vështirëson qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve.
Ndërkohë, për shkak të motit të paqëndrueshëm, edhe natën e kaluar ka pasur probleme në nisjen e trageteve nga portet e Durrësit dhe Barit. Tragetet kanë regjistruar vonesa të theksuara. Konkretisht, dy tragetet që ishin parashikuar për nisje drejt Barit natën e kaluar, në orën 23.00, kanë arritur të nisen mëngjesin e sotëm, përkatësisht 08:00 dhe 08:10.
Edhe tragetet nga Bari drejt Durrësit priten të mbërrijnë me vonesë, për shkak të nisjes me disa orë vonesë nga porti i Barit.