Kryeministri, Edi Rama inspektoi Parkun e ri të Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorën e Rilindur, një hapësirë e re që i është kthyer Vlorës bashkë me rikonceptimin e Sheshit të Flamurit dhe infrastrukturën lidhëse të rrugës Transballkanike me detin.
“Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë e vizitës së mbrëmshme në parkun më të ri të Vlorës së Rilindur, Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.
Rama tha se po përgatitet një seri me pllaka bronzi ku janë të gjithë emrat e atyre që kanë firmosur pavarësinë.
“Çdo pllakë ka një emër dhe emrat janë të çarë përtej pllakës. Do të vendoset ndriçimi poshtë dhe natën do të jetë e gjitha me emrat e atyre që ndriçojnë. Do të jetë si fushë me xixëllonja me të gjithë firmëtarët e pavarësisë”, tha Rama.
Në Parkun e ri të Pavarësisë janë 28 mijë bimë shumëvjeçare nga të cilat 560 pisha dhe 108 rrënjë agrume. Në total janë 980 pemë të larta me perimetër 50-60 cm.
Parku i Shtëpisë së Pavarësisë ka marrë jetë në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës, deri tek porti. Ai lidh bulevardin e ri “Ismail Qemali” me Lungomaren./ATSH