Shqipëria po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për turistët e huaj që kërkojnë plazhe të bukura në sezonin veror, por edhe të eksplorojnë Alpet Shqiptare që ofrojnë peizazhe mbresëlënëse, e qytetet e lashta për kulturën dhe historinë.
Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që hynë në territorin shqiptar gjatë muajit nëntor të këtij viti u dyfishua.
Sipas raportit të publikuara nga INSTAT, në muajin nëntor në territorin shqiptar hynë 808.813 qytetarë.
Ky tregues rezulton me një rritje 47,4 %, krahasuar me nëntor 2021.
Ndërkohë, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 358.350. Ky numër është rritur me 46,8 %, krahasuar me nëntor 2021. Nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 2.4 herë dhe Italia me 62.9 %, krahasuar me nëntor 2021.
Për 11-mujorin numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë arriti në 7.152.242 duke shënuar rritje me gati 32 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021-shit, kur u regjistruan 5.421.240 shtetas të huaj të hyrë në territorin shqiptar.
Edhe daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit nëntor 2022 u rritën me 47.9 %, duke arritur në 463.097. /ATSH/