Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur me barazim ciklin kualifikues për Botërorin “Katari 2022”. Dardanët, të dielën në mbrëmje në stadiumin olimpik “Spyros Louis” në Athinë kanë barazuar me Greqinë, 1:1.
Ky ishte barazimi i tretë me Greqinë në katër ndeshje të zhvilluara deri më tani. Paraqitja e Kosovës në këtë përballje ishte shumë më e mirë dhe më e disiplinuar taktikisht, teksa ky barazim i dha fund serisë prej katër humbjesh dhe jep shpresa për rikthim tek rezultatet pozitive në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Fillimi i ndeshje u takoi grekëve, të cilët ishin më këmbëngulës për të gjetur golin, teksa Dardanët synonin që të ndëshkojnë kundërshtarin nëpërmjet kundërsulmeve. Në minutën e 10-të portën tonë e shpëtoi tërthorësja, teksa në minutën e 30-të një superpritje e Aro Muriqit evitoi golin. Më pas Kosova pati dy raste të mira nëpërmjet Rashicës (34’ dhe 38’), por gjuajtjet e tij nuk ishin të sakta.
Ndërkohë, një minutë para shkuarjes në pushim grekët e gjetën golin, kur Giorgos Masouras fitoi një duel ajror me Amir Rrahmanin dhe shënoi për 1:0. Në pjesën e dytë Kosova u shfaq më këmbëngulëse dhe në minutën e 55-të Vedat Muriqit ia mohoi golin tërthorësja, kur gjuajti bukur me kokë pas harkimit të Zhegrovës.
Angazhimi dhe dëshira e madhe për të gjetur golin u shpagua në minutën e 76-të, kur Amir Rrahmani shënoi nga afërsia pas harkimit të Zhegrovës. Ky i fundit pati mundësi shumë të mirë në minutën e 88-të, kur dribloi pothuajse gjithë mbrojtjen greke, por në fund gjuajtjen e tij nga vija e portës e dëboi një futbollist grek.
Një minutë më pas Vojvoda gjuajti me kokë pas harkimit të Zhegrovës, por vetëm pranë portës. Në minutat shtesë kur Kosova po e kërkonte edhe golin e fitores grekët për pak sa nuk shënuan, por një superpritje e Aro Muriqit evitoi golin. Në fund, Greqi – Kosovë u mbyll 1:1. Kosova e mbylli këtë cikël në pozitën e pestë në Grupin B, me 5 pikë, derisa Greqia në pozitën e tretë me 10 pikë.